Shqiptarë, mbroni SPAK-un!

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

Vendimi i Komisionit të Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të shtuar masat e sigurisë ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, si dhe ndaj disa prokurorëve të tjerë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, nuk është një lajm rutinë. Është një alarm për shtetin, një kambanë që bie fort për shoqërinë shqiptare.

Kur prokurorët që hetojnë politikën, korrupsionin dhe krimin e organizuar kanë nevojë për mbrojtje të shtuar, problemi nuk është te ata. Problemi është te presioni, te frika dhe te forcat e errëta që ndihen të kërcënuara nga një drejtësi që po guxon të shkojë deri në fund.

Altin Dumani përfaqëson një fazë të re të drejtësisë shqiptare, ku dha mesazhet e qarta se askush nuk është më “i paprekshëm”. Në fakt edhe pse mandati i tij si drejtues i SPAK ka përfunduar, dosjet që mbajnë firmën e tij vazhdojnë të tronditin interesa të mëdha politike, kriminale dhe ekonomike.

Po kështu, fakti që prokurori Dritan Prençi, i cili po heton zëvendëskryeministren Belinda Balluku, është vënë nën masa mbrojtjeje, flet qartë, drejtësia po prek pushtetin dhe pushteti po reagon.

SPAK nuk është i përsosur. Asnjë institucion nuk është, por SPAK është sot e vetmja strukturë që ka treguar se nuk pyet për emra, poste apo tituj. Pikërisht për këtë arsye është nën sulm të vazhdueshëm, herë të hapur, herë të kamufluar pas debatit politik, herë përmes kërcënimeve kriminale.

Rasti i prokurores Doloreza Musabelliu, e vënë në shënjestër sipas dëshmive të të penduarve të drejtësisë, si edhe masat e mbrojtjes për gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë të posaçëm, dëshmojnë se kjo luftë nuk është simbolike, por është reale, është e rrezikshme dhe ka kosto personale për secilin nga prokurorët e kësaj strukture.

Prandaj sot pyetja nuk është nëse na pëlqen SPAK apo jo. Pyetja është thelbësore:
A duam drejtësi apo duam kthim pas?
A duam një shtet ku ligji mbron qytetarin, apo një shtet ku qytetari mësohet të heshtë nga frika?

Mbrojtja e SPAK-ut nuk është mbrojtje e një institucioni. Është mbrojtje e shpresës së fundit që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është mbrojtje e një ideje të thjeshtë, por themelore për këtë vend, se ligji vlen për të gjithë.

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët duhet ta kuptojnë se kur SPAK-u sulmohet nga politika dhe pushteti, nuk sulmohet thjesht një institucion, por vetë e ardhmja e tyre.
Prandaj mbrojtja e SPAK-ut është mbrojtje e vetë shtetit, sepse një vend që nuk garanton siguri për ata që guxojnë të zbatojnë ligjin, dorëzohet heshtur përballë frikës. Siç paralajmëronte Platoni shekuj më parë: “kur drejtësia zhduket, shteti nuk ka më asnjë vlerë.”

spot_img

Latest articles

Related articles