Një çift bashkëshortësh është shpallur në kërkim pasi akuzohet se mashtronin personat, duke u marrë qentë e tyre shtëpiakë për trajnim dhe më pas nuk ua kthenin më.
Sipas policisë mashtrimi zhvillohej në një qendër trajnimi për qen në Durrës, ku çifti i bashkëshortëve ishin administratorët e saj. Kanë qenë denoncimet e qytetarëve R. I. dhe M. D., të cilët pretendojnë se kanë humbur kontaktet me çiftin pasi u kanë besuar qentë e tyre për trajnim.
Në kërkim janë shpallur G. S., 40 vjeç, dhe R. S., 35 vjeçe, të cilët akuzohen se kanë mashtruar disa qytetarë duke marrë kafshët e tyre për trajnim, pa ua kthyer më pronarëve.
Ndaj dy bashkëshortëve rëndojnë akuzat për “Mashtrim” dhe “Shkelje të karantinës së bimëve dhe kafshëve”, ndërsa policia po vijon punën për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.



