Vetëm 50 gram proshutë më shumë në dietën tuaj dhe rreziku për tumor në zorrë rritet me 18 për qind. Deklarata e djeshme e Organizatës Botërore të Shëndetit ka qenë një nga më tronditëset e kohëve të fundit. OBSH deklaroi që mishi i përpunuar, salsiçet, sallami dhe proshuta janë ushqime që rrisin rrezikun për kancer. Pas shumë studimesh që kanë shqyrtuar rastet e të sëmurëve dhe ushqyerjen e tyre, këto ushqime janë klasifikuar në kategorinë e më të rrezikshmëve siç është plutoniumi.
Mjekët thonë që nuk është një hot dog që rrit rrezikun për kancer dhe një sanduiç me proshutë nuk është njëlloj rrezik sa cigarja, por sasia e madhe ditë pas dite i kthejnë këto ushqime në faktor rrisku. Gjithashtu edhe mishi i kuq, i viçit, i derrit dhe qengjit është ushqim që mund të shkaktojë tumor, por rrezikshmëria e tij është më e ulët dhe nuk bën pjesë në kategorinë e parë të ushqimeve më të rrezikshme.
Po çfarë është mishi i procesuar?
Mishi i procesuar është modifikuar ose për të rritur kohën e ruajtjes së tij ose për t’i ndryshuar shijen me metodat e tymosjes, duke i shtuar erëza, kripë, ose ruajtës artificial. Thjesht të kalosh mishin në grirës nuk do të thotë që produkti i përftuar është mish i përpunuar, nëse ai nuk modifikoht më tej. Mishi i përpunuar përfshin pançeta, salsiçe, hot dog, sallame, mish viçi të përpunuar dhe paketuar, proshutë, mish kutie dhe salca me mish. Janë kimikatet e shtuara gjatë përpunimit që mund të rrisin rrezikun e tumorit. Gatimi me temperaturë të lartë si ato mbi skara, mund të krijojë gjithashtu kimikate të rrezikshme.
Sigurisht, mishi ka edhe vetitë e tij pozitive dhe prandaj nuk është këshilluar kurrë të hiqet nga përdorimi, por duhet konsumuar në sasi të vogla që të shmanget rreziku.



