Pse era e re politike nuk vjen me Ermalin – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Ideja e një forumi qytetar iniciuar nga Ermal Hasimja që synon të lehtësojë dialogun mes forcave opozitare dhe të ndërtojë një front të përbashkët kundër qeverisjes aktuale, në parim është e drejtë dhe e nevojshme në çdo demokraci funksionale. Megjithatë, në realitetin politik shqiptar, kjo nismë përballet me pengesa strukturore që e bëjnë praktikisht të pazbatueshme.

Së pari, premisa bazë e kësaj nisme – se opozita ka si interes të përbashkët rrëzimin e qeverisë së PS dhe ndërtimin e një sistemi zgjedhor realisht demokratik – është e pasaktë. Partia Demokratike, forca kryesore opozitare, nuk funksionon më si një aktor klasik opozitar, por si pjesë e një karteli politik me Partinë Socialiste. Ky kartel ka interesa të përbashkëta korrente dhe afatgjata që tejkalojnë ndarjen formale pushtet–opozitë: ruajtjen e status quo-së, kontrollin e sistemit politik dhe mbi të gjitha, sigurimin e imunitetit politik dhe juridik të elitave ekzistuese.

Në këtë kuptim, PD nuk ka interes real që qeveria e PS të bjerë përmes zgjedhjeve të lira dhe konkurruese. Përkundrazi, interesi i përbashkët i dy partive kryesore është menaxhimi i reformave institucionale në mënyrë të tillë që ato të prodhojnë mekanizma vetëmbrojtës për klasën politike: reformë elektorale e kontrolluar, krijim i strukturave si Senati, statuse të veçanta për ish-zyrtarët, mandate të përhershme, imunitete funksionale dhe shpëtim nga ndjekjet penale përmes ligjit dhe procedurave.

Së dyti, partitë e vogla opozitare nuk përbëjnë një trup homogjen që mund të rakordohet lehtësisht në një platformë të përbashkët. Një pjesë e tyre funksionojnë realisht si shtojca të pushtetit, të përdorura për të fragmentarizuar opozitën dhe për të simuluar pluralizëm. Një pjesë tjetër janë të varura politikisht ose financiarisht nga PD, çka i bën të paafta për të ndërtuar një qëndrim perbashkues imponues. Ndërsa partitë që kanë axhendë reale alternative dhe identitet politik të dallueshëm, nuk mund të bashkëpunojnë me PD pa e humbur këtë identitet ose pa u kontaminuar moralisht dhe politikisht nga një forcë e perceptuar gjerësisht si bashkëfajtore në degradimin e sistemit.

Së treti, koncepti i “bashkëpunimit pa cenuar identitetin e partive” është teorikisht tërheqës, por praktikisht i pazbatueshëm në një sistem ku identiteti politik ndërtohet pikërisht mbi distancimin nga karteli PS–PD. Çdo bashkëpunim me PD, sado teknik apo i kufizuar të paraqitet, perceptohet nga publiku si kompromis me sistemin ekzistues dhe prodhon delegjitimim të menjëhershëm të forcave më të vogla ose të reja.

Së katërti, thirrja për mbështetje të sistemit të drejtësisë, ndonëse e drejtë në parim, bie ndesh me interesat reale të aktorëve politikë që pritet të ulen në tryezë. Një opozitë e kapur nga frika e ndjekjeve penale nuk mund të jetë një aleat i sinqertë i drejtësisë së pavarur. Kjo krijon një kontradiktë thelbësore midis retorikës publike dhe motiveve reale të bashkëpunimit.

Në idealizmin e tyre, Forumi i Dialogut Politik niset nga një analizë normative e politikës shqiptare – se aktorët politikë veprojnë sipas interesit publik dhe parimeve demokratike – ndërkohë që realiteti është thellësisht oligarkik dhe transaksional. Pa një ndarje të qartë nga karteli PS–PD dhe pa një subjekt të ri politik apo qytetar që të ketë legjitimitet të pavarur publik, çdo përpjekje për “rakordim opozitar” rrezikon të shndërrohet ose në një alibi demokratike për status quo-në, ose në një mekanizëm riciklimi të elitave ekzistuese.

Në këtë kuptim, problemi nuk është mungesa e dialogut mes opozitës, por mungesa e një opozite te forte reale, e cila pritet te formohet, por jo mbi narrativen e bashkepunimit me lutje.

Perparim Gjeka
26 janar 2026

spot_img

Latest articles

Related articles