Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, në pronësi të biznesmenit Gentian Sula, e cila kërkonte heqjen e sekuestros për një apartament në zonën “Kodra e Diellit” në Tiranë, për të cilin prokuroria dyshon se është pasuri e fshehur e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë njoftoi këtë të enjte (22 janar 2026), se ka vendosur “mospranimin e rekursit të shoqërisë Agi Kons për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, nr.38, dt. 17 qershor 2025”.
Apartamenti “i fshehur”
Në kuadër të hetimeve për “korrupsion” e “pastrim parash”, Prokuroria e Posaçme tha se ka zbuluar një rast, ku Sula, sipas grupit hetimor, ka bërë përpjekje për të mbuluar një pasuri të fshehur të Erion Veliajt, një apartament në kompleksin “Kodra e Diellit” në Tiranë, ndërtuar prej shoqërisë së tij, “Agikons”.
Erion Veliaj dhe familja e tij jetojnë në katin e katërt të një godine 5-katëshe në zonën rezidenciale, në Selitë të kryeqytetit. Ky apartament është blerë vite më parë nga Arben dhe Valbona Xoxa dhe më tej i është dhuruar vajzës së tyre, Ajola Xoxa.



