Pse shqiptarët paguajnë më shumë për karburant se fqinjët e tyre, edhe kur çmimet ndërkombëtare bien? MAFIA

spot_img
Advertisements


Nga Mateo SPAHO

Në Shqipëri, çmimi i karburanteve nuk është më thjesht një tregues ekonomik, është kthyer në një simptomë të qartë të një modeli fiskal që rëndon padrejtësisht qytetarët dhe bizneset. Nafta dhe benzina vijojnë të shiten me çmime ndër më të lartat në Europë. Shqipëria është një vend që ka të ardhurat ndër më të ulëtat për frymë në rajon, vend i cili është në pozicionin e 41 nga 50 shtete të kontitentit europian. Pyetja që lind natyrshëm është: pse shqiptarët paguajnë më shumë për karburant se fqinjët e tyre, edhe kur çmimet ndërkombëtare bien?

Sot, çmimi i benzinës në Shqipëri luhatet midis 1.75–1.85 euro për litër, ndërsa nafta rreth 1.70–1.80 euro. Në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo Bosnje dhe Hercegovinë, të njëjtat produkte shiten 40 deri në 70 cent më lirë për litër. Edhe Serbia dhe Mali i Zi, me ekonomi më të mëdha ose më të vogla, arrijnë të ofrojnë çmime më të ulëta. Në Malin e Zi sot një litër benzinë kushton 1.27 euro, nërsa në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut vetëm 1.04 euro. Vetëm Greqia, vend anëtar i BE-së me të ardhura dukshëm më të larta, i afrohet herë pas here niveleve shqiptare. Arsyeja e shtrenjtësisë greke qëndron te një borxh bublik të frikshëm i cili duhet paguar. Ky krahasim tregon qartë se problemi nuk është gjeografia, por politika.

Pesha kryesore në çmimin final të karburantit në Shqipëri është barra fiskale. Mbi 55–60 për qind e çmimit që paguan konsumatori përbëhet nga taksa dhe akciza: akciza fikse për litër, TVSH-ja 20% për qind, taksa e qarkullimit dhe tarifa të tjera shtesë. Në praktikë, kjo do të thotë se shteti përfiton më shumë nga çdo litër karburant sesa vetë importuesi apo tregtari. Në një ekonomi me paga relativisht të ulëta dhe informalitet relativisht të lartë, kjo barrë fiskale shndërrohet në një taksë regresive, që godet më fort ata që kanë më pak, por në fakt u prish punë të gjithëve.

Vendet e tjera të Ballkanit kanë ndjekur qasje më fleksibël. Gjatë krizave të energjisë dhe rritjeve të forta të çmimeve ndërkombëtare, disa qeveri në rajon ulën përkohësisht akcizat ose pezulluan një pjesë të taksave për të mbrojtur konsumatorin dhe për të frenuar inflacionin. Në Shqipëri, debati për uljen e taksave mbetet kryesisht teorik, ndërsa barra fiskale ruhet e pandryshuar, pavarësisht kushteve ekonomike.

Një tjetër problem lidhet me strukturën e tregut. Shqipëria është pothuajse plotësisht e varur nga importi i karburanteve dhe ka një treg relativisht të vogël, me konkurrencë të kufizuar. Bordi i Transparencës, i krijuar për të shmangur abuzimet, në praktikë shërben më shumë si mekanizëm administrimi i çmimeve sesa si instrument që ul realisht koston për qytetarët. Kur çmimet ndërkombëtare rriten, rritja reflektohet shpejt në pompë; kur bien, ulja shpesh është më e ngadaltë dhe më e kufizuar.

Pasojat e këtij realiteti janë të prekshme. Çmimi i lartë i karburantit rrit koston e transportit, e cila përkthehet automatikisht në çmime më të larta për ushqimet, shërbimet dhe mallrat bazë. Bizneset humbasin konkurrueshmërinë e tyre në raport me ato të Kosoves, Maqedonisë dhe Serbise, ndërsa familjet shqiptare shpenzojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave për të njëjtën sasi karburanti. Në krahasim mefuqinë blerëse, nafta dhe benzina në Shqipëri janë realisht më të shtrenjtat e kontinentit Europian! Kjo është diçka për të cilën jemi të parët!

Problemi nuk është vetëm ekonomik, por edhe social. Kur karburanti bëhet luks, lëvizshmëria kufizohet, mundësitë e punësimit ngushtohen dhe që të bëhen konkuruese bizneset Shqiptare, që të paguajnë më shumë karburantin, duhet të mbajnë rrogat në nivele më të ulta në raport më Serbinë dhe Maqedoninë.

Në këtë kontekst, mbajtja e një barrë kaq të lartë fiskale mbi karburantet duket më shumë si zgjedhje buxhetore afatshkurtër sesa si politikë zhvillimi afatgjatë. Është më e lehtë për administratën shqiptare të mbledhi akcizat e naftës pasi karburanti importohet nga pak kompani të mëdha dhe volumi i importit është i matshëm. Më e vështirë është lufta ndaj inormalitetit e cila kërkon të prekësh grupe të fuqishme interesi, të ndeshësh rezistencë nga bizneset dhe rrjete klienteliste pa harruar se mund të ketë kosto elektorale!

Transparenca reale në treg dhe nxitja e konkurrencës do të ishin hapa të domosdoshëm për të rritur fuqinë blerëse të Shqiptrëve të cilët sot kanë një fuqi blerëse sa 41% e një banori te Bashkimit Europian. Malazezët dhe Serbët janë respektivisht në nivelin 52% dhe 53%. Zgjidhjet ekzistojnë! Një rishikim i strukturës së taksave, do të kishte efekt të menjëhershëm në rritjen e konkurencës së bizneseve Shqiptare dhe në xhepat e familjeve

spot_img

Latest articles

Related articles