Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah një nga problemet kryesore për Bashkinë Klos: mungesën e kontratave me subjektet minerare që shfrytëzojnë sipërfaqe jashtë lejeve të miratuar, duke krijuar një hendek mes shfrytëzimit faktik të territorit dhe të ardhurave që duhet të arkëtojë bashkia.
Sipas raportit përfundimtar të auditimit financiar për vitin 2024, bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për formalizimin e këtyre marrëdhënieve financiare, çka ka sjellë humbje të ardhurash. Në raport thuhet se “… për sipërfaqet e shfrytëzuara jashtë lejes minerare nuk janë lidhur kontrata qiraje, duke mos u gjeneruar të ardhura për Bashkinë Klos”, ndërsa këto të ardhura nuk janë as të evidentuara dhe as të përllogaritura në pasqyrat financiare.
Sipas KLSH, kjo situatë jo vetëm që dëmton buxhetin vendor, por krijon precedent për shfrytëzim informal të pasurive natyrore, pa kontroll dhe pa përgjegjësi institucionale.
Një tjetër gjetje lidhet me kontratat e qirasë së fondit pyjor, ku KLSH ka konstatuar se 9 qiramarrës rezultojnë debitorë, me detyrime totale prej 17.7 milionë lekësh, të cilat nuk janë pasqyruar në kontabilitetin e bashkisë.
Mosregjistrimi i këtyre detyrimeve jo vetëm që fsheh nivelin real të debitorëve, por cenon transparencën financiare dhe aftësinë e bashkisë për të ndjekur arkëtimin e të ardhurave.
159.9 milionë lekë debi, barrë për financat vendore
Problemet thellohen më tej me nivelin e lartë të debitorëve nga taksat dhe tarifat vendore, ku raporti evidenton se Bashkia Klos ka rreth 159.9 milionë lekë detyrime të pambledhura nga subjekte familjare dhe private.
Sipas KLSH, pjesa dërrmuese e këtyre detyrimeve lidhet me taksa dhe tarifa vendore, ndërsa bashkia nuk ka ndjekur në mënyrë efektive procedurat ligjore për arkëtimin e tyre. Në raport thuhet se “detyrimet debitore janë në nivele të larta dhe nuk janë ndjekur me masa të plota administrative dhe ligjore për arkëtimin e tyre”.
Kjo situatë redukton kapacitetin financiar të bashkisë dhe rrit varësinë nga fondet qendrore.
46.8 milionë lekë financime që mungojnë në pasqyra dhe bllokim i inventarizimit të pronave
Një tjetër gjetje lidhet me mospërputhjet në raportimin financiar, ku Bashkia Klos nuk ka pasqyruar në bilanc financimet e pritshme nga buxheti i shtetit, ndonëse detyrimi i qeverisë qendrore ndaj bashkisë arrin në rreth 46.8 milionë lekë.
Raporti evidenton gjithashtu mungesë progresi në inventarizimin dhe regjistrimin e pronave në ASHK, përfshirë pronat pyjore dhe kullosore. Bashkia nuk disponon një databazë të plotë të pronave dhe nuk ka planifikuar fonde specifike për këtë proces.
Sipas KLSH, “procesi i inventarizimit dhe regjistrimit të pronave nuk ka avancuar, ndërsa nuk janë planifikuar fonde buxhetore për përfundimin e tij”.
Në fund të zinxhirit të problematikave qëndron pasqyrimi i pasaktë i pasurive të paluajtshme në bilanc. KLSH konstaton se llogaria “Toka, Troje, Terrene” nuk përfshin shumicën e pronave reale të bashkisë, ndërsa 23,254 hektarë pyje dhe kullota, të transferuara me VKM, rezultojnë të regjistruara me vlerë zero.



