Killeri Ndoci 4 herë në tualet, të 5-tën rrëzoi 2 policë me një grusht! U çua në spital pa vizitë mjeku

spot_img
Advertisements

E gjithë arratia e Altin Ndocit i ngjason një filmi amator aksioni. Në gjithë itinerarin e rrugës së tij, nga burgu i Durrësit për në spitalin Rajonal, procedurat standard janë shkelur haptazi, thuajse në çdo hallkë. Ndërsa momenti i arratisjes, siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, e bën dhe më banale të gjithë historinë: dy policë që shtrihen përdhe nga një grusht i vetëm, njëri prej tyre që rrëzohet nga shkallët e spitalit ndërsa vihet në ndjekje, dhe e shtëna paralajmëruese, jo në ajër po në tokë, për të trembur Ndocin që i kishte humbur nga sytë, duke hipur në makinën që e priste te hyrje e jashtme e spitalit.

38-vjeçari, i dyshuar nga SPAK për masakrën me 3 të vrarë të Bradasheshit, u shoqërua në një furgon ambulancë me një tjetër të burgosur, Gerald Kuqin, nën shoqërinë e 5 policëve, dhe shoferit të mjetit. Rregullorja e burgut thotë që duhen minimalisht 3 efektivë për një të burgosur. Rrugës, sipas dosjes së Prokurorisë, Ndoci ka ndjerë shqetësime nga veshkat, arsye për të cilën policët i kanë hequr prangat, dhe e lanë të lëvizë nga ambulanca drejt godinës së infektivit, si një qytetar i lirë.

Ndoci u shoqërua në dhomën e izoluar në katin e tretë të Infektivit me 3 policë, 2 të tjerë shkuan pas të burgosurit tjetër, te urgjenca.

‘MË DHEMB VESHKA’, NDOCI 4 HERË NË TUALET, TË PESTËN U IKU

3 orë dyshohet se qëndroi Ndoci në dhomën spitalore, pa pasur asnjë kontakt me bluzat e bardha. Gjatë kësaj kohe, duke u ankuar për dhimbje, shkon katër herë në tualet. Kjo lojë me policët, duket të jetë një skenar i mirëmenduar.

E pesta kërkesë për në tualet, vjen në momentin që mesa duket ai kishte programuar për arratinë. Një nga policët ishte larguar për t’u bashkuar me 2 kolegët e tjerë që shoqëronin të burgosurin tjetër në urgjencë, Gerald Kuqin. Ai e kishte përfunduar vizitën dhe duhej të kthehej në burg.

ME NJE GRUSHT RREZON 2 POLICET, NJERI RRËZOHET DHE NGA SHKALLËT E SPITALIT

Sapo dera e dhomës me kafaz hekuri u hap, sipas dosjes së prokurorisë, 38-vjeçari, i pa prangosur, qëlloi me grusht në kraharor policin e parë Fatjon Baçi. “Ai ra mbi kolegun Sali Ferrollari, dhe të dy u rrëzuan në tokë”, thuhet në dosje. Me të paraburgosurin që u iku me vrap nga kati i tretë i spitalit, njëri nga policët, i njëjti që mori goditjen, u vu në ndjekje, por sërish rrëzohet, këtë herë në shkallët e infektivit. Në oborrin e spitalit qëlloi me armën e shërbimit, për të trembur të burgosurin që vraponte, çuditërisht jo në ajër, siç e parashikon rregullorja, por në tokë. Të dy policët dolën në rrugë – thuhet në dosje – dhe nisën të pyesin banorët, të cilët i treguan se kishin parë një person të largohet për nga kodra me një makinë.

Në këtë moment, ndërsa Ndoci ia ka mbathur, polici Fatjon Baçi tenton të telefonojë sallën operative të policisë në numrin 129, por në dosje thuhet se nuk i janë përgjigjur. Tjetri, më pas, Sali Ferrollari ka kontaktuar me specialisten e informacionit në burgun e Durrësit Violeta Uka. Kjo e fundit e lënë në masë arresti në shtëpi nga Gjykata e Durrësit, pasi në shkelje të ligjit, nuk njoftoi as Drejtorinë e Burgjeve, as policinë e Durrësit për lëvizjen e të paraburgosurve për në spital.

Dy policët që u përballën me Ndocin u lanë në burg nga Gjykata, ndërsa Dorian Saraçi, i treti që ishte fillimisht me ta, por u largua të kthejë në qeli të burgosurin tjetër pasi mbaroi vizitën në urgjencë, u la në detyrim paraqitje. E njëjta masë, detyrim paraqitje, edhe për 2 të tjerët që ishin me Gerald Kuqin, Preng Marvataj dhe Aranit Çela.

Për të dërguar Ndocin në spital, ku do të finalizohej arratia, kishte menduar kryeinfermieri i burgut. Në dosje thuhet se që herët, mëngjesin e 13 janarit, në orën 08:30, Aulon Çuku, i kërkoi rekomandim mjekes për 4 të burgosur që kishin shqetësime e duhej të bënin ekzaminime të specializuara në spitalin e Durrësit.

ARRATIA/ NDOCI U ÇUA NË SPITAL PA VIZITË NGA MJEKU I BURGUT

Mjekja e burgut, Yrfet Sema, nuk e vizitoi Altin Ndocin për gjendjen e tij shëndetësore por u bazua vetëm në fjalët e kryeinfermierit se ai kishte dhimbje të veshkave. Megjithatë pa e prekur pacientin e burgosur, i firmosi menjëherë letrat, brenda ditës, duke rekomanduar vizitë të Ndocit me një mjek kirurg. Kaq i duhej kryeinfermierit që të bënte në bllok letrat për shoqërimin e 4 të burgosurve. (Eduard Haxhia, vizitë me kardiolog pas shqetësimeve kronike, Artur Hoxhosmani, dhimbje të dhëmbit prej së premtes, Gerald Kuqi, nuk specifikohet në dosje çfarë shqetësimi ka, dhe Altin Ndoci)

NDOCI I DYSHUAR PËR VRASJE, BURGJET: S’KA RREZIK ARRATISJE

Në dosjen e prokurorisë të cilën Report Tv e siguron, thuhet se kryeinfermieri Çuku, përgatiti gjithçka dhe ia çoi urdhrin shefit të komanduar të policisë së Burgut, Dezdemont Pazaj, “por më parë, ia dërgoi edhe vetë drejtorit të burgut, Indrit Cërloj, i cili e miratoi pa vonesa lejen pa faktuar nëse mjekja i kishte bërë vizitë, dhe pa mbikëqyrur rregullat e shoqërimit.” Altin Ndoci akuzohet si krahu i armatosur i organizatës kriminale të Çopjave në Elbasan, i dyshuar për vrasje, por komisioni i vlerësimit në burg, me firmë të drejtorit të shkarkuar dhe arrestuar tashmë, kishte gjykuar se 38-vjeçari nuk paraqiste rrezikshmëri për u arratisur (vlerësim ky i 4 dhjetorit të vitit 2025)

ÇUDIA! NDOCI ME VESHKË, KRYEINFERMIERI FOLI ME KARDIOLOG

Një tjetër element në dosje, ngre një dyshim të fortë mbi kryeinfermierin. Për Altin ndocin, ai ka biseduar me mjekun kardiolog – thuhet në dosje – kur në fakt mjekja e burgut rekomandoi konsultë me një kirurg. Sipas këtij komunikimi i cili nuk është i qartë nëse është kryer vërtetë apo Aulon Çuku e ka krijuar të gjithën për të lënë më gjatë Altin Ndocin në spital, kardiologu kishte rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh. Këtu del edhe një tjetër e pavërtetë e drejtorisë së Burgjeve, e cila në reagimin e parë dhe të vetëm zyrtar, njoftoi se Ndoci mori mjekim, një pretendim ky ende i pafaktuar.

Kryeinfermieti Aulon Çuku, u la në masë arresti shtëpiak, ndërsa mjekja e burgut pritet të dalë ditët në vijim para gjykatës për rivlerësimin e masës arrest shtëpie, caktuar vetëm gjatë së premtes, kur u arrestua edhe drejtori i shkarkuar i burgut, Indrit Cërloj.

Ndërkohë, shefi i komanduar i policisë së burgut, Dezdemon Pazaj u la në burg nga Gjykata e Durrësit. Ai ishte caktuar në grupin e shoqërimit që do lëviznin të burgosurit e sëmurë nga qelia në spital, por atë ditë u zëvendësua nga një koleg.

spot_img

Latest articles

Related articles