Një operacion i Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Antimafias në Itali, është zhvilluar në orët e mbrëmjes së djeshme në kryeqytet, në kullën e famshme “4Ever Green”, përballë Kishës Orthodhokse.
Paraprakisht, bëhet me dije se në këtë godinë 24 katëshe, të paktën sipas lejes së ndërtimit, kanë zyrat disa biznese të njohura dhe ndër to edhe një “call center”.
Në shënjestër të organeve të hetimit ka qenë pikërisht kjo qendër telefonie, e cila dyshohet se ka mashtruar me mijëra qytetarë italianë dhe të tjerë në Europë, duke u boshatisur llogaritë bankare. Në krye të operacionit ka qenë vetë prokurori Vladimir Mara dhe drejtues të Antimafias.
Siç është parë dhe nga pamjet që kanë dalë në media, ambientet e kullës kanë qenë nën mbikëqyrje të lartë policore, ndërkohë që oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kolegët e tyre italianë kontrollonin biznesin e shënjestruar.
Nga sa është mësuar, biznesi të cilit i janë bastisur zyrat, janë gjendur edhe para cash.
Skema e mashtrimit me këtë qendër telefonike në zemër të Tiranës, e njohur gjerësisht edhe si call center, është zbuluar nga programi investigativ italian “Le Iene”. Autorët e programit shumë të ndjekur në Itali, kanë infiltruar disa persona në periudha të ndryshme kohore, për të punuar si agjentë në këtë call center.
Duke u infiltruar brenda biznesit me zyra në kullën “4Ever Green”, ata kanë marrë informacion të plotë për mënyrën sesi operohej nga kryeqyteti i Shqipërisë, në Itali dhe shtete të tjera europiane, duke zhvatur miliona euro.
Programi investigativ në Itali, pritet që së shpejti të publikojë emisionin e plotë dhe skemën e mashtrimit që orkestrohej nga Tirana.



