Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme tek ura e Dajlanit në Durrës. Policia njofton se një automjet ka rënë nga mbikalimi dhe për pasojë ka ndërruar jetë pasagjerja 18-vjeçare. Gjithashtu janë dëmtuar edhe drejtuesi i automjetit dhe dy këmbësorë të cilët ndodhen në spital. Redaksia raporton se mjeti ka rënë nga të paktën 30 m lartësi.
Viktimë mbeti Vikena Greku, pasagjere, ndërsa i plagosuri është shtetasi Arbër Xhaxhaj. Ky i fundit ka qenë i pirë ne masën 0.5 mg/l dhe me shpejtësi shumë të lartë në krahun e lëvizjes Tiranë-Durrës.
“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.



