Si duhet ta lexojmë pezullimin e vizave të shqiptarëve në SHBA | ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Kostana Morava

Zhvillimet e fundit lidhur me vizat amerikane nuk duhen lexuar si prishje aleancash, si ndryshim orientimi gjeopolitik apo si ndëshkim ndaj shqiptarëve.

Besoj se duhet sqaruar se pezullimi i vizave nuk është refuzim ndaj një populli aleat, por refuzim për të përthithur pa kufi pasojat e një shteti mafioz që nuk funksionon më.

Është një vendim që, pa e thënë hapur, pranon se dëshpërimi i prodhuar nga një sistem i tillë nuk mund të importohet pafundësisht, as të mbahet si barrë e përhershme nga të tjerët.

Këtu bie edhe alibia më e madhe e politikës shqiptare, sepse bëhet e qartë se besnikëria gjeopolitike nuk e zëvendëson dot shtetin social, nuk e mbulon dot varfërinë strukturore dhe nuk e shndërron dot një shtet të dështuar në vend të jetueshëm.

Braktisja që i kanë bërë shqiptarët vendit ka dalë përtej kufijve dhe nuk lexohet më si dramë personale, por si shenjë e qartë e dështimit të një shteti për të mbajtur njerëzit e tij.

Shqipëria nuk po penalizohet sepse nuk është mjaftueshëm pro-amerikane, por sepse është kthyer në një vend që eksporton njerëz të lodhur, shpresë të humbur dhe jetë të pambështetura, të lëna në mëshirën e fatit.
Kjo dihet që nuk është përgjegjësi e qytetarëve që ikin, por e një klase politike që, për dekada me radhë, ka ndërtuar një realitet ku qëndrimi është sakrificë, ndërsa ikja zgjidhje.

Nëse sot Shtetet e Bashkuara e ngadalësojnë apo e ndalojnë këtë ikje, ato po vendosin një kufi atje ku shteti shqiptar ka dështuar t’a vendosë vetë.

Për dekada, politika shqiptare ka ndërtuar një narrativë ku aleanca me Shtetet e Bashkuara është përdorur si një lloj mburoje morale, si një garanci e heshtur që mbulon çdo mangësi të brendshme, çdo krizë ekonomike dhe çdo boshllëk institucional. Brenda kësaj narrative, të qenit “aleat strategjik” ka zëvendësuar shtetin funksional, drejtësinë sociale dhe një ekonomi që do t’u jepte njerëzve arsye reale për të qëndruar.

Por aleancat nuk i mbajnë njerëzit në vend dhe nuk i bindin të qëndrojnë, kur jeta e përditshme është bërë e pajetueshme.

spot_img

Latest articles

Related articles