Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani zhvilloi sot një seri takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel.
Kryepiskopi u takua me Komisionerin Europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas. Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së Kryepiskopit të lumur Anastas dhe në vizionin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, për të ardhmen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
Fortlumturia e Tij theksoi angazhimin e tij që Kisha të mbetet një zë i fuqishëm dhe i pavarur në shoqërinë shqiptare, një shoqëri që përballet me sfida të mëdha si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet e thella demografike.
Kryepiskopi u takua edhe me Kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin italian Marco Tarquinio. Ky takim mbart rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh rolin kyç që luan ky delegacion në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Fortlumturia e Tij u takua edhe me Bashkëkryetaren e Grupit të Punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten kroate Zeljana Zovko. Gjatë takimit u diskutuan çështje të lirisë fetare në Europë dhe u theksua modeli i suksesshëm i bashkëjetesës harmonike të komuniteteve fetare në Shqipëri.


