nga Gjergj Zefi
Me operacionin goditës në Venezuelë në fillim të këtij viti, Donald Trump i vuri kapakun çdo iluzioni të mbetur tek ata që besonin ende në rikthimin e rendit të vjetër ndërkombëtar. Ai nuk veproi për të shpëtuar demokracinë, as për të mbrojtur ndonjë normë ndërkombëtare. Veproi sepse mundi. Dhe me këtë, hapi epokën e re të politikës së jashtme amerikane: një epokë e ftohtë, transaksionale dhe pa justifikime morale.
Në të njëjtën frymë, administrata e tij ka hedhur në tavolinë një ide që flet më shumë se çdo deklaratë: krijimin e një grupimi të ri gjeopolitik; të quajtur C5, ku do të përfshiheshin SHBA, Japonia dhe tre nga shtyllat e BRICS: Kina, India dhe Rusia. Ky grupim nuk është vetëm një strukturë hipotetike. Është një mesazh brutal: Evropa nuk ka më vend në bisedat e mëdha për qeverisjen botërore.
Grupimi C5 nuk është thjesht një provokim diplomatik apo një ide eksperimentale për mediat. Ai është pasqyra e një bote të re, ku fuqitë e mëdha rreshtohen jo mbi baza vlerash të përbashkëta, por mbi peshën strategjike dhe interesin afatgjatë. Përjashtimi i vendeve evropiane nga kjo skemë nuk është aksidental, është një deklaratë e heshtur që Evropa nuk perceptohet më si lojtar i nevojshëm në arkitekturën e re të pushtetit global. Dhe kjo ndodh jo sepse Europa nuk ka potencial, por sepse nuk ka guxim.
Pas më shumë se 70 vitesh në qendër të sistemit ndërkombëtar, kontinenti evropian po përjashtohet me heshtje. Jo sepse nuk ka pasuri apo potencial, por sepse ka humbur aftësinë për të vepruar. Me një BE të përçarë dhe të ngadalshme, me liderë të pavendosur dhe një mungesë dramatike vizioni strategjik, Evropa është kthyer në një spektatore të rendit të ri.
Ndërkohë, grupimi BRICS+ po zgjerohet dhe artikulohet çdo ditë e më shumë si një alternativë ndaj strukturës perëndimore. Nga Afrika në Azi, shtete të mëdha dhe të vogla po pozicionohen në një hartë të re gjeopolitike, ku aksionet nuk i vendosin më kancelaritë e vjetra evropiane, por fuqitë me rritje reale ekonomike dhe ndikim strategjik global.
Trump, me gjithë retorikën e tij të papërtypshme për establishmentin klasik, po bën pikërisht atë që Europa ka harruar ta bëjë: po rishkruan marrëdhëniet ndërkombëtare sipas rregullave të reja. Ai nuk e fsheh që do të negociojë drejtpërdrejt me Kinën, Indinë apo Rusinë, dhe nuk ka më durim për “këshillat” evropiane.
Mes gjithë kësaj, BE-ja vazhdon të merret me procese të brendshme burokratike, reformime teknike dhe deklarata të kujdesshme që askush nuk i merr seriozisht. Mungesa e ambicies dhe frika për të projektuar fuqi kanë bërë që kontinenti të humbasë peshën e tij reale. Europa nuk është më faktor, sepse nuk sillet si i tillë.
Në këtë botë të re, e ndërtuar mbi interesa të ftohta dhe boshtesh të qarta ndikimi, nuk ka vend për iluzione. Kush nuk ulet në tavolinë si fuqi, do të shërbejë si dëgjues. Dhe dëgjuesit, në politikën ndërkombëtare, nuk kanë asnjë peshë.


