Arrestimi i Maduros dhe plangprishit Rama & Berisha për Amerikanët

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

Arrestimi i diktatorit venezuelian Nicolás Maduro shënoi një nga momentet më të forta politike të viteve të fundit. Një lider autoritar, i akuzuar prej kohësh për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, manipulim zgjedhjesh dhe lidhje me korrupsion të strukturuar e trafik ndërkombëtar droge, u përball me një përsëritje të historisë së Noriegës: forcat speciale amerikane e morën, e paketuan dhe e dërguan në SHBA si një “dhuratë” për Vitin e Ri 2026, ku tashmë do të përballet me drejtësinë amerikane. Mesazhi i SHBA-së ishte i qartë: stabiliteti, demokracia dhe rendi ligjor nuk mund të mbahen peng pafundësisht nga një njeri i vetëm, sado i fuqishëm të duket.

Ky precedent, në mënyrë të pashmangshme, na bën të kthejmë vështrimin drejt Shqipërisë, ku interesat gjeopolitike të SHBA-së prej kohësh e kanë konsideruar vendin tonë pjesë të një zone prioritare në Ballkan.

Në njërën anë qëndron Sali Berisha, ish-kryeministër dhe kryetar historik i PD-së — i shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor, sipas deklarimeve zyrtare amerikane. Ky fakt tashmë ka hyrë në historinë politike të vendit dhe ka krijuar një ngërç të thellë moral e politik në opozitë. Jo vetëm kaq, por ka edhe akuza publike nga ish-deputetë të PD-së pranë Berishës, sipas të cilëve vulën e PD-së Berisha e mori vetëm falë një bashkëpunimi të fshehtë me Ramën duke shkelur çdo ligj. Një parti që pretendon të jetë pro-perëndimore, por udhëhiqet nga një figurë që aleati ynë strategjik e ka përjashtuar publikisht, gjendet në një kontradiktë të hapur me vetveten dhe me të ardhmen e saj. Për më tepër, Berisha është në një përballje të vazhdueshme me SPAK, ku pothuajse çdo javë hyn e del për të dhënë llogari mbi aferat për të cilat po hetohet.

Në anën tjetër kemi Edi Ramën, një kryeministër që për vite me radhë u perceptua si partner i besueshëm i SHBA-së dhe BE-së, deri aty sa arriti të çonte Saimir Tahirin në Shtëpinë e Bardhë. Por sot duket se po përjeton një ftohje të qartë në marrëdhëniet me Uashingtonin. Asnjë urim për zgjedhjet, asnjë vizitë në SHBA, asnjë takim i rëndësishëm dhe duket se partneri i vetëm i SHBA-së në këtë vend është SPAK. Çdp funksionar i lart amerikanë hynë e del nga dyert e këtij institucione duke shmnagur çdo derë institucionale dhe politike të Ramës. Dosjet e korrupsionit, hetimet ndërkombëtare, fondet e dyshuara të keqpërdorura të BE-së, si dhe akuzat për ndikimin e grupeve kriminale në ekonomi dhe politikë, po e shndërrojnë Ramën nga “i favorizuari i botës” në një faktor pasigurie, jo vetëm për demokracinë shqiptare, por edhe për stabilitetin rajonal.

Kështu, Shqipëria gjendet përballë një paradoksi: dy figura që kanë dominuar politikën për dekada, njëri i shpallur non grata, tjetri i rrethuar nga hije të forta korrupsioni — po rrënojnë çdo standard bashkëkohor të qeverisjes perëndimore. Pyetja që lind tashmë dhe bëhet hapur është: A janë këta njerëz garanci stabiliteti apo rrezik për të?

Në rastin e Venezuelës, SHBA nuk pranoi që stabiliteti të ndërtohej mbi frikë, kapje shteti dhe korrupsion. Ajo vendosi një vijë të kuqe, të cilën e përsërit në çdo reagim zyrtar. E nëse kjo filozofi zbatohet njësoj në çdo vend, atëherë Shqipëria nuk mund të jetë përjashtim.

Nëse Berisha nuk mund të jetë partner politik për Uashingtonin, atëherë ai nuk mund të jetë as modeli i një opozite europiane moderne. Po kështu, nëse Rama vazhdon të perceptohet si i lidhur me struktura të errëta interesi, çdo buzëqeshje diplomatike nuk mjafton për të fshehur shqetësimin real që po rritet.

Maduro u prangos, pavarësisht se sovranistët e donin, sepse SHBA po e ka gjithnjë e më shumë si devizë të sajin faktin se stabilitet pa drejtësi nuk ka. Shqipëria sot është në prag të së njëjtës zgjedhje: të mbetet peng i dy figurave që simbolizojnë epoka të konsumuar, apo të hapë derën e një politike të re, të pastër dhe realisht perëndimore.

E ardhmja po e tregon qartë se faktori shqiptar dhe Shqipëria janë prioritet për SHBA në Ballkan. Koha ka treguar se Amerika, edhe kur hesht, gjithmonë sheh dhe pasojat janë fatale për ata që përpiqen ta pengojnë.

Shpërndajeni

Latest articles

Related articles