Dora e Ramës

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

Në mitologjinë greke, Mbreti Midas mori një dhuratë që në fillim dukej e mrekullueshme, gjithçka që prekte kthehej në ar. Shumë shpejt, ajo që dukej bekim u kthye në mallkim. Midas kuptoi se, kur çdo gjë rrotull teje kthehet në interes, në pasuri, në lakmi njerëzimi humbet dhe kur humbet njerëzimi dhe morali çdo gjë degradon dhe sjellë rënie të perandorisë.

Kur shoh sot Edi Ramën dhe mënyrën si qeveris, metafora e Dorës së Midasit kthehet në realitet politik. Rama duket sikur ka zhvilluar një “prekje” të veçantë mbi shtetin, çdo projekt, çdo reformë, çdo nismë publike, përfundon e mbushur me dyshime, interesa klienteliste dhe përfitime për rrethin që e shoqëron. Nuk është rastësi që ai perceptohet i rrethuar nga njerëz që kanë një marrëdhënie problematike me etikën publike, njerëz të akuzuar, të kritikuar e të dyshuar për lakmi e korrupsion dhe ai vazhdon t’i mbajë pranë.

Në këtë pikë, “Dora e Ramës” nuk simbolizon më vizion, modernizim apo transformim pozitiv. Përkundrazi çdo gjë që prek, fillon të ndiejë peshën e interesit privat. Shteti i Edi Ramës duket sikur nuk qeveriset për qytetarin e as për Shqipërinë, por për një rreth të ngushtë që ushqehet nga pushteti absolut i tij.

Ashtu si Midas, Rama duket se e ka ngatërruar fuqinë me autoritetin moral dhe këtu fillon tragjedia politike. E dëgjova sot teksa fliste për 83 mandate si një licencë të pakufizuar pushteti, sikur ato i japin të drejtën të bëjë gjithçka. Por kur rrethohesh me njerëz që mendojnë vetëm për përfitim personal, edhe reformat më të mëdha humbasin kuptimin. Nuk flitet më për shtet social, për meritokraci, për shërbim publik. Flitet vetëm për pushtet dhe harrohet fakti se përtej numrave ekziston një llogaridhënie morale përballë qytetarëve dhe ligjore përballë drejtësisë.

Por miti i Midasit na mëson edhe diçka tjetër se mallkimi nuk bie vetëm mbi mbretin, ai godet gjithë mbretërinë. Kur lakmia bëhet kulturë politike, shoqëria varfërohet ekonomikish e shpirtërisht, largon të ndershmit, largon të aftët, largon ata që mund të kontribuojnë, përveç mjerim çfarë mund të ngelet pas përveç se një mallkim.

Historia, mitike apo reale na tregon se asnjë “Dorë e Midasit” nuk ka qenë e përjetshme, por pasojat e saj i ka ndjerë gjithmonë populli.

Latest articles

Related articles