Mosvjelja e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, me një dëm ekonomik mbi 3 milionë lekë për buxhetin e shtetit për vitet 2017–2019, ka bërë që të dalin para drejtësisë ish-drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier, Arben Voja, aktualisht Drejtor i Spitalit Rajonal Fier, së bashku me gjashtë specialistë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër.
Prokuroria Fier ka përfunduar hetimet dhe i ka dërguar të pandehurit për gjykim për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Nga mosndjekja e vjeljes së tarifave vjetore rezulton se për vitin 2017 nuk kanë likuiduar detyrimet 424 subjekte, për vitin 2018 421 subjekte dhe për vitin 2019 702 subjekte, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën totale prej 3 milionë e 94 mijë lekësh.
Sipas organit të akuzës, është provuar se të pandehurit kanë vepruar dhe mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe auditimeve të brendshme të Ministrisë së Mjedisit. Hetimet kanë zbuluar se janë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në shkelje të kritereve ligjore dhe nënligjore, pa kryer verifikime në terren dhe, në disa raste, edhe në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm.
Po ashtu, është konstatuar aplikimi i standardeve të ndryshme në vendimmarrje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore. Një numër i konsiderueshëm subjektesh të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk ka ndërmarrë masa për pezullimin apo revokimin e lejeve, siç e parashikon ligji.


