Adriatik Lapaj foli sot para Kryeministrisë, në vijim të protestës, duke e vënë theksin te skandali që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku, të cilin e cilësoi si provë të qartë të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
Lapaj deklaroi se ka nisur organizimi për protestën e 4 janarit, në orën 12:00, ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nga çdo cep i vendit, për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e asaj që ai e quajti “klikë në pushtet”.
Sipas tij, rasti i zv/kryeministres Balluku është prej muajsh i njohur publikisht, por institucionet kanë heshtur. Ai theksoi se protestat e javëve të fundit kanë thyer kontrollin e debatit publik dhe kanë rikthyer reagimin qytetar. Në përfundim, ai u shpreh i bindur se ndryshimi është i mundur dhe se Shqipëria mund të drejtohet nga njerëz të pakorruptuar, duke ftuar qytetarët të bashkohen në protestën e 4 janarit.
Adriatik Lapaj: Sot kemi nisur organizimin për protestën e datës 4 janar. Në orën 12:00 i madh e i vogël, nga cdo shtresë sociale, nga çdo cep i vendit, nga fermerët që janë përmbytur e nuk kanë marrë dëmshpërblimet, duhet të bashkohen masivisht për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e klikës në pushtet. Vendi ka filluar të ngjallet nga vdekja klinike.
Sa protesta kanë ndodhur në këto 3 javë nga grupime të ndryshme, nuk ka pasur në 3 vitet e fundit. Këta e kishin kapur dhe marrë peng debatin publik. Qytetarët që po reagojnë po imponojnë një agjendë të re. Kishte muaj që dëshmohej se zv/kryeministrja ishte kapur në flagrancë duke vjedhur para e qytetarëve, por vetëm heshtje…


