Dosja e Prokurorisë së Posaçme për abuzimet në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ndonëse kryen një shërbim të madh publik duke ndalur hemorragjinë e tmerrshme financiare të kënetës dixhitale, paraqet vetëm gjysmën e të vërtetës.
Në materialin akuzues të paraqitur nga SPAK ka dy pika të errëta, zbardhja e të cilave është jetike për të nxjerrë në dritë të vërtetën e plotë të aferës AKSHI. Të dy pikat lidhen me biznesmenin Gerond Meçe.
Deri në fillim të vitit të kaluar Gerond Meçe ishte njeriu që diktonte praktikisht çdo tender të AKSHI-it. Kompania e tij, Advanced Business Solutions, ishte kontraktori më i madh absolut i AKSHI-t dhe përfituesi më i madh i tenderave sekret të teknologjisë së informacionit duke u shndërruar në përbindëshin dixhital të Shqipërisë.
Për 6 vitet e fundit, kompania ka përfituar gati 50 milionë euro drejtpërdrejtë nga tenderat e IT-së, nga të cilat mbi 15 milionë euro kanë qenë tendera sekretë. Në vitin 2023, xhiroja e kompanisë Advanced Business Solutions arriti në rreth 18.6 milionë euro, ndërsa fitimi i saj real bashkë me fitimet e zhvendosura tek kompania tjetër e Meçes, Artificial Intelligence Business Solutions, ishte 7.7 milionë euro ose mbi 41 për qind e xhiros.I gjithë burimi i këtyre parave ishin kontratat publike, të cilat në pjesën dërrmuese vinin nga AKSHI. Dhe brenda tyre ka dhe tendera skandalozë si kontrata 16 milionë euro për ngritjen e laboratorëve smart në disa shkolla të vendit. Projekti parashikonte pajisjen e 210 shkollave të vendit me një laboratorë, i cili kishte 17 laptopë dhe lidhje interneti.Por laptopët u shitën 3 herë brenda vendit për të rritur fiktivisht çmimin e tyre, nga ABS tek Albascan. Ky është një nga tenderat më famëkeq të AKSHI-t për nga përmasat e abuzimit.
Ai ishte edhe hosti i programit Aktivisti të Patronazhistëvr të PS.


