Nga Ermal Peçi
Prej kohësh kam përdorur shprehjen se Edi Rama, për të ndërtuar parajsën e tij politike, mori muratorët e ferrit. Sot kjo nuk është më metaforë. Është realitet. Është pamje e përditshme e pushtetit. Është fotografia e një qeverie të degraduar deri në palcë.
Kjo është qeveria e Tahirit, Veliajt, Beqjas, Ahmetajt, Ballukut, Akshit dhe Agasit të verës 33 mijë euro. Një qeveri që nuk u ndërtua mbi meritën, por mbi pazarin; jo mbi moralin, por mbi besnikërinë ndaj shefit dhe ndaj parave.
Ky që dikur vetëshpallej “dashnor i drejtësisë”, sot është kryeministri që ka rrethuar veten me hajdutë, të dyshuar për korrupsion dhe njerëz të lidhur me krimin. I vetmi kryeministër në historinë e këtij vendi që e mori krimin, e uli në tavolina drejtuese, e bëri deputet, kryetar bashkie dhe faktor pushteti.
Kjo nuk është më qeveri. Është një bandë. Eshtë një organizatë kriminale. Është kastë. Një kastë që nuk qeveris, por konsumon luks. Një pushtet që nuk shërben, por grabit. Një regjim që nuk ka më as frikë, as turp, as ndjeshmëri morale.
Degradimi nuk është episod, është sistem. Rënia morale nuk është aksident, është politikë shtetërore. Kur pushteti pi verë sa paga vjetore e një familjeje shqiptare, ndërsa qytetarët numërojnë faturat e dritave dhe bukën e fëmijëve, nuk kemi më të bëjmë me keqqeverisje. Kemi të bëjmë me përçmim të hapur.
Edi Rama nuk është më kryeministri i shpresës që premtoi dikur. Ai është arkitekti i një qeverie që ka normalizuar hajdutërinë dhe e ka shndërruar arrogancën në virtyt. Një qeveri që flet për progres, ndërsa mban në shpinë dosje, afera dhe emra që simbolizojnë dështimin moral të shtetit shqiptar.
Kjo nuk është thjesht rënie politike. Është kalbëzim.


