Fermerët në Greqi po vazhdojnë protestat e tyre edhe gjatë festave të Krishtlindjeve, duke mbajtur bllokada në akset kryesore rrugore, por njëkohësisht duke marrë masa për të mos penguar rëndë lëvizjen e qytetarëve.
Nga bllokada e Nikaias, që konsiderohet “zemra” e protestave në Thesali, fermerët vendosën në kuvendin e tyre që sot të bllokojnë simbolikisht tunelet e Tempit për kamionët, nga ora 10:30 deri në 15:30. Traktorët do të zhvendosen drejt autostradës Athinë–Selanik, ndërsa makinat dhe autobusët do të lejohen të qarkullojnë normalisht.
Sipas vendimeve të marra, nga e marta e tutje traktorët në Nikaia do të riorganizohen në mënyrë që të mos krijohen probleme për fluksin e shtuar të udhëtarëve gjatë festave. E njëjta praktikë pritet të ndiqet edhe në bllokadat e tjera, ndërsa fermerët do të mblidhen sërish në ditët në vijim për të vendosur hapat e mëtejshëm në prag të Vitit të Ri.
Mobilizime edhe në Epir
Protestat vijojnë edhe në Epir, ku fermerët, blegtorët dhe bletarët janë të pranishëm në katër bllokada kryesore: Artë, Louro në Prevezë, Kalpaki në Janinë dhe Igumenicë. Në Artë, traktorët qëndrojnë në urën e Odës Ionia në të dy drejtimet, ndërsa situatë e ngjashme paraqitet edhe në Louro.
Në Igumenicë, fermerët shpërndanë mandarina në sportelet e pagesës së Tyria-s si shenjë falënderimi për qytetarët që tregojnë durim dhe mirëkuptim. Sonte, nga ora 20:00 deri në 22:00, është paralajmëruar një bllokim dyorësh i portit të jashtëm të Igumenicës për kamionët. Po ashtu, në Kalpaki do të zhvillohet një tjetër bllokadë treorëshe për kamionët që lëvizin drejt dhe nga kufiri greko-shqiptar në Kakavijë.
Fermerët e Epirit deklarojnë se do të vazhdojnë mobilizimet deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave të tyre. Përkundër protestave, atmosfera festive nuk mungon, pasi në disa bllokada ata kanë dekoruar edhe pemë Krishtlindjesh, duke dërguar mesazhin se “lufta” e tyre nuk ndalet as gjatë festave.


