Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e News24, ka komentuar kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, me qëllim autorizimin e arrestimit të saj, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi raportin e pushtetit me drejtësinë.
Lubonja tha se nëse kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut do rrëzohet në Kuvend, do të jetë një goditje ndaj drejtësisë.
“Nëse kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut do rrëzohet në Kuvend, kjo do të jetë një goditje ndaj drejtësisë, por edhe ky do marrë goditje nga ndërkombëtarët, mendoj, në popull po e po. Ky pushtetet i ka për ta injoruar drejtësinë, mund të thotë e të luajë edhe me ndërkombëtarët, me BE apo KE dhe ta shtyjë. Sepse ne jemi të qartë që ky është një regjim.
Ka protesta, por populli është i lodhur dhe kërkon shpëtimin. Kur trashet e trashet shumë, bie një ditë. Rreziku i një drejtësie të kapur nga Rama mbetet i njohur dhe prezent, këtë e tregoi edhe Gjykata Kushtetuese. Në një vend normal, Rama do ishte nën hetim dhe do kishte “fluturuar””, shprehet analisti.
Për Lubonjën, drejtësia po punon, por duhet të tregojë më shumë kurajo.
“Ka kurajo nga SPAK dhe drejtësia, por duhet të hetohet edhe më thellë. Me këto gjëra që janë sheshit dhe ata nuk veprojnë, ata shkatërrohen si karrierë, me këto prova që kanë dalë hapur, me përgjimet, që i dinë edhe ndërkombëtarët, do ishte skandal që të mbrohej Rama. Ata mendojnë edhe për të nesërmen e tyre. Ne e dimë tani që mbreti është lakuriq, e shohin të gjithë, ai shpreson vetëm të mburoja e ndërkombëtarëve që e ka pasur deri tani, si dhe tek Berisha që ka përballë”, shprehet ai.
Sipas Lubonjës, duke pasur parasysh mënyrën se si Rama e ka trajtuar drejtësinë e re, si “një fëmijë që nuk është rritur”, pritej që ai të ushtronte presion për të penguar një hap të tillë nga SPAK. Analisti ngre pyetjen se nga buron “guximi” i Prokurorisë së Posaçme, duke e lidhur atë me profesionalizmin dhe ndershmërinë e disa prokurorëve, por edhe me mbështetjen ndërkombëtare.
Ai theksoi se kryeministri është fokusuar te procedurat, nëse dikush duhet të futet apo jo në burg, por ka shmangur, sipas tij, thelbin e skandalit që ndodhet në dosje.
“Janë 50 milionë euro që shkojnë drejt të pandehurve me bekimin tënd. Për këtë nuk ka asnjë qëndrim”, u shpreh Lubonja, duke shtuar se Rama jo vetëm që duhet të kërkonte dorëheqjen e Ballukut, por edhe të merrte përgjegjësi personale.
Lubonja hodhi gjithashtu hipotezën se kryeministri mund të jetë duke bërë “teatër politik”, duke e lënë tashmë Ballukun, por duke u justifikuar publikisht me drejtësinë. Megjithatë, ai e cilësoi më të dobët këtë skenar, duke shprehur bindjen se Rama nuk do të donte ta lëshonte Ballukun, por është i penguar nga rrethana dhe forca më të mëdha.
Analisti foli edhe për një përplasje mes institucioneve, duke e cilësuar situatën si jashtë kontrollit, me korrupsion, përgjime, banda dhe skandale të njëpasnjëshme.
“Zullumi është derdhur”, tha ai, duke shtuar se priten zhvillime të reja.
Në lidhje me rolin e Gjykatës Kushtetuese, Lubonja u shpreh kritik, duke deklaruar se ajo “lau duart” nga vendimi i nxehtë, duke e shtyrë çështjen për më 22 janar. Sipas tij, kjo solli një kundërpërgjigje nga SPAK, i cili kërkoi arrestimin, ndërsa vendimmarrja tani pritet nga Kuvendi.
Sipas Lubonjës, nëse Kuvendi nuk voton heqjen e imunitetit të Ballukut, kryeministri Rama “heq maskën”, duke i dhënë një goditje të fortë drejtësisë dhe duke humbur legjitimitetin, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht. Ai paralajmëroi se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për imazhin e Shqipërisë dhe besimin publik, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment kritik dhe me zhvillime të pritshme në vijim.


