“Më fal, Adriatik, por duro edhe pak” – nga Erion Dushi

spot_img
Advertisements

Adriatik, të shoh e të lexoj çdo ditë; ty dhe mbështetësit e tu që shtoheni në numra në trotuar. Lexoj madje edhe ata që të shajnë apo tallen, kur pa dashje të japin të drejt duke të kushtuar kohë e energji. Ti frymëzon, sepse nuk mendon si ne. Siç tha gjenerali George Patton: “Nëse të gjithë mendojnë njësoj, të paktën dikush nuk po mendon fare”. Tek ti shoh këtë thënie të marrë jetë.

Më fal, Adriatik, por nuk të bashkohem dot akoma. Ti dhe çdo njeri që rri në jashtë, në të ftohtë e përballet me policinë për një kauzë politike meriton respekt minimal njerëzor, edhe nëse nuk e voton apo nuk i bashkohesh. Unë ta njoh këtë meritë, si unë shumë të tjerë, por prapë nuk vijmë dot aty të ndajmë trotuarin bashkë.

Nuk vij sepse jam mundur, ata kanë fituar. Më kanë mposhtur, më kanë futur apatinë në mendje, mosbesimin në zemër, frikën në palcë. Po nuk më vjen turp për sa kohë nuk jam vetëm. Nuk ndihem keq. Sepse kur të shoh ty, i shoqëruar çdo ditë e më shumë nga njerëz që luftojnë e frymëzojnë, kuptoj se prangat po thyhen ngadalë… tek ti, te ju.

Ti nuk mendon si ne, Adriatik! Ti shkon përtej, ti frymëzon. Të ndjekin dhe ngadalë, të gjithë po thyejmë prangat e frikës. Shpresoj që kjo pikë e vogël të bëhet valë, siç ka ndodhur në Bullgari apo gjetkë. Më duhet kohë, por shpresa ime është se shumë shpejt do vijmë të gjithë, pa u frikësuar më.

Duro, Adriatik! Rri aty për mua, për ne sepse mendoj se shumë shpejt do vij edhe unë aty… me shpresën që para se të vij, dikush mos të më frikësojë më shumë. Prit pak, se po vijmë. Jo si turmë e madhe, por si njerëz të lirë.

Latest articles

Related articles