Si u implikua Bankers në skemën e naftës kontrabandë! Çfarë bëri Loni Çobo me kinezin

spot_img
Advertisements

Shqipëria është një vend i pasur me naftë. Fusha e Patoz Marinzës konsiderohet e dyta për nga rezervat naftëmbajtëse në të gjithë Europën Kontinentale.

Në zona të tjera ku po kryhen kërkime Shqipëria mendohet të ketë rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Megjithatë Shqipëria ka një realitet të trishtë: edhe pse jemi prodhues të naftës, çmimet e karburantit të pakicës renditen ndër më të lartat në Europë.

Eksportojmë naftë për konsum në vendet e tjera dhe importojmë për nevojat tona.

Sikur të mos mjaftonte kjo, taksat që i kemi ngarkuar këtij produkti për konsumatorin zënë gjysmën e çmimit.

I gjithë cikli që ka patur më parë vendi ynë me prodhimin e naftës nga kompania Albpetrol, përpunimin e saj nga ARMO dhe shpërndarjen përmes kompanisë publike Sercom është shkatërruar.

Albpetrol aktualisht operon shumë pak në kërkimin dhe prodhimin e naftës, ndërsa duket se menaxhon e administron kontratat koncesionare të lidhura me operatorë privatë për shfrytëzimin e nëntokës.

ARMO pas një grope të madhe financiare që shkaktoi te punonjësit, agjencitë shtetërore dhe furnitorët, falimentoi dhe u shkri për skrap. Sot nuk ka më asnjë shenjë të rafinerisë.

Sercom u mbyll, pas liberalizimit të tregut në vitet 90’ dhe hyrjes në sektorin e shpërndarjes së operatorëve privatë.

Nëse paguhet një çmim i lartë për një produkt nga qytetarët, mbase kompensimi që ata marrin për pasuritë e nëntokës së vendit të tyre mund të vijë në një tjetër drejtim: taksave që kompanitë shfrytëzuese derdhin në buxhet të cilat shkojnë për të financuar paga e pensione të larta, infrastrukturë publike dhe shërbime më të mira.

Por as kjo nuk ka ndodhur. Për vite me radhë, kompania koncesionare që prodhon mbi 80% të naftës së nëntokës shqiptare deklaron humbje financiare dhe nuk derdh tatim mbi fitimin. Rikthimi i naftës së shqiptarëve si e mirë publike për ta, ishte një nga premtimet kryesore në fushatën e vitit 2013-të të Partisë Socialiste.

Në vitin 2013, qeveria socialiste e sapoardhur në pushtet akuzoi kompaninë Bankers Petroleum për kontrabandë dhe evazion.

Skema ishte kjo: Bankers importonte sasi të holluesit, lëndë hidrokarbure e llojit naftë por me denistet dhe cilësi të ulët, e cila nevojitet për proceset teknologjike të shpimit të puseve. Duke qenë se nafta në nëntokë është e rëndë, ka nevojë për presion likuid që të bëjë nxjerrjen e saj.

Meqenëse dulienti importohej për nevoja prodhuese, ai nuk i nënshtrohej regjimit të vendosjes së akcizës, një barrë e rëndë fiskale për tregtarët që shesin nënprodukte të naftës.

Ajo që dyshohej ishte se lënda që importohej si hollues apo solar, ishte në sasi më të larta se nevojat reale të kompanisë koncesionare Bankers Petroleum. Kjo tepricë u shitej kompanive të karburantit në tregun vendas, të cilat e merrnin me çmim më të lirë për shkak të cilësisë së dobët dhe pa ngarkesë me taksën e akcizës.

Kjo skemë bënte që të fitohej dyfish: në taksa dhe cilësi. Konsumatorët humbnin po ashtu dyfish: në para dhe cilësi.

Në fund të vitit 2013-të bordi drejtues i Albpetrol-it i ka kërkuar shpjegime kompanisë Bankers mbi sasinë e lëndës holluese që përdoret për operacionet e saj në kërkimin e naftës. Në bazë të deklarimeve të bëra vetë nga Bankers, rezultonte se në korrik 2013-të importi i lëndës holluese ka arritur maksimumin në 13. 594 m3, ose 15% e prodhimit gjithsej të naftës nga vendburimi i Patos-Marinzës.

Një situatë kontradiktore nëse krahasohej me të dhënat e sasisë së holluesit të përdorur në dhjetor 2013-të, ku sasia nuk shkonte më shumë se 8.5%, ndërkohë që është karakteristikë e stinës së dimrit rritja e sasisë së holluesit. Në të dhënat e monitoruara u vunë re mospërputhje të mëdha mes sasive dhe përqindjeve të holluesit të raportuara nga kompania Bankers dhe atyre të llogaritura nga ekspertët e Albpetrol.

Një fakt tjetër që vërtetonte abuzimin, ishte deklarimi që Bankers kishte në periudha të ndryshme për përdorimin e holluesit. Në dhjetor 2011- shkurt 2012 “Bankers” kishte raportuar të ketë përdorur 98 mijë metra kub hollues, ndërsa llogaritjet e stafit të Albpetrol-it argumentojnë se konsumi i holluesit ka qenë vetëm 47 mijë metër kub, çka do të thotë se 51 mijë metër kub hollues ishin hedhur në treg.

Në raportin përfundimtar të auditit të Albpetrol në kompaninë koncesionare, konstatohej se vetëm gjatë periudhës së viteve 2011-2013, konsumi i solarit për operacionet e nxjerrjes së naftës kapte sasinë e afro 100 mijë tonëve në vit.

Nga krahasimi i shifrave, rezulton se përdorimi i holluesit përballë nevojave reale ishte gjysmë për gjysmë! Si pasojë e shitjes në treg të karburantit pa akcizë, dëmi në buxhetin e shtetit për vitin 2012 llogaritej në vlerën 47 milion euro dhe për 2013-n 53 milion euro.

“Nga vlerësimi teknik mendohet se ende vlerat e përdorimit të holluesit gjatë vitit 2013 janë shumë të larta krahasuar me rezultatet faktike të arritura sidomos në vitin 2014 me 7.5%, vitin 2015 me 5.3% dhe sidomos në vitin 2016 me 4.3%. Janë totalisht të pa argumentuara dhe të pa pranuara norma të tilla të përdorimit të holluesit që arrijnë në vlerat 14-15% për periudhën janar-shtator 2013, ndërkohë që për periudhën tetor-dhjetor 2013 kjo vlerë luhatet në kufijtë 8.5-9.8%”, thuhet në raportin e audtit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të vitit 2017.

Kjo skemë e Bankersit dyshohet se ka pasuruar disa nga kompanitë lider të naftës sot në treg, por ka mbetur në harresë, madje dhe jashtë vëmendjes së drejtësisë që sot ka në dorë një dosje me këtë koncesionarin e Patoz -Marinzës, raportohet në emisionin “Kronos” në MCN TV.

Pas këtij raporti askush nuk preku më dorë nga socialistët çështjen e naftës kontrabandë që deklarohej si hollues!

Por edhe pse nuk pati nxjerrje përgjegjësish, qeveria propozon që ligji për akcizat të ndryshojë dhe të ngarkojë kompaninë Bankers Petroleum me detyrimin për pagesën e saj. Marrëveshja hidrokarbure me Bankers ndryshoi, ku shpenzimet për akcizën, do t’i konsideroheshin të zbritshme për efekt të tatimit.

“Për efekt të përllogaritjes së masës së detyrimeve të akcizës për mangësitë apo tepricat në magazinat e prodhim/stokimit të naftës bruto, niveli i akcizës do të llogaritet në masën 25 lekë/kg.”, ishte shtesa në Ligjin e ri për Akcizat.

Ja se si argumentohej ky ndryshim ligjor:

Në bazë të të dhënave të administratës tatimore dhe doganore, kjo lehtësi fiskale është përdorur me abuzivizëm nga shoqëritë hidrokarbure, duke importuar lëndë djegëse pa taksa dhe duke i shitur në treg. Për vitin 2012, kompanitë hidrokarbure kanë marrë përjashtimin nga akciza në shumën 4.7 miliardë lekë, ndërsa për 10-mujorin 2013 përjashtimi nga akciza i lëndëve djegëse, që shoqëritë hidrokarbure përdorin për nevojat e veta, ka qenë 5.3 miliardë lekë. Efekti i vlerësuar në buxhetin e vitit 2014 është 3.5 miliardë lekë.

Latest articles

Related articles