Red Varaku
Çfarë sinjalizon Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA 2025
Strategjia e Re e SHBA e vitit 2025 shënon ndryshimin më të madh të politikës së jashtme amerikane që nga 1945.
Kjo strategji nuk është thjesht një dokument teknik, është një ndryshim paradigme në mënyrën si Amerika e sheh botën, aleatët, armiqtë dhe veten. Për herë të parë pas Luftës së Ftohtë, Uashingtoni deklaron hapur se epoka e ‘ndërtimeve’ të kombeve, demokracive të eksportuara dhe angazhimeve të pakushtëzuara ka mbaruar.
Ajo çfarë po ndërton administrata amerikane është një doktrinë brutalisht pragmatiste, me prioritete të ngushta, të matshme dhe të lidhura drejtpërdrejt me fuqinë e brendshme ekonomike.
Pika më revolucionare e strategjisë është heqja dorë nga nocioni se SHBA ka një mision moral në botë. Dokumenti vendos qartë se interesat kombëtare janë mbi çdo angazhim tjetër.
Në praktikë, kjo do të thotë më pak ndërhyrje ushtarake, më pak angazhime të hapura për ndryshim regjimesh, më shumë presion ekonomik dhe diplomaci transaksionale.Ky është një rikthim te realpolitika, ku SHBA vepron për sigurinë e saj, jo për mbrojtjen e rendit liberal botëror.
Doktrina e re e konsideron ekonominë si mjetin kryesor të fuqisë amerikane.
Qëllimet janë ,dominimi në teknologjitë kyçe (AI, kuantike, hapësirë, bio-teknologji), rindërtimi i zinxhirëve të furnizimit brenda Amerikës,
rikthimi i prodhimit dhe industrive ,përdorimi i tarifave agresive dhe reciprocitetit në tregti.
Kjo është një luftë ekonomike, e shpallur hapur ndaj Kinës dhe çdo ekonomie që abuzon me tregtinë e lirë.
Strategjia e re e vendos Amerikën Latine në qendër të prioriteteve. Arsyet janë të qarta,
kriza e emigracionit, kartelet e drogës
,ndërhyrja dhe ndikimi ekonomik i Kinës,frika e krijimit të një “brezi të varur” që mund të kthehet në kërcënim të brendshëm. SHBA shpall de facto kontrollin e Hemisferës Perëndimore, një version i modernizuar i Doktrinës Monroe.
Strategjia kërkon që vendet evropiane të shpenzojnë 5% të PBB-së për mbrojtje, një kërkesë që shumë prej tyre nuk do ta përballojnë.Në mënyrë indirekte, SHBA paralajmëron se
NATO nuk është më e garantuar,
kontribuesit e vegjël do të paguajnë çmim,konflikti në Ukrainë duhet mbyllur sa më shpejt. Ky është një mesazh i fortë, Evropa tani duhet të marrë vetë përgjegjësitë e saj.
Ndryshe nga dokumentet e mëparshme, Kina përkufizohet jo vetëm si rival, por si kërcënimi kryesor ekonomik, teknologjik dhe gjeopolitik.Me Strategjinë e Re Uashingtoni synon frenimin e Pekinit në Tajvan,kufizimin e ndikimit të tij në Detin e Kinës Jugore, detyrimin e Kinës në tregti të ndershme, shkëputjen graduale nga varësia ekonomike.Në fakt ky është një “konfrontim i ftohtë”, sigurusht jo ‘luftë’, por me risk të lartë për përshkallëzim.
Ndryshe nga retorika e 10 viteve të fundit, Rusia trajtohet si kërcënim i kufizuar, aktor që mund të menaxhohet, shtet me të cilin SHBA mund të negociojë.
Strategjia flet qartë për paqe të shpejtë në Ukrainë dhe një politikë më të ftohtë ndaj Moskës. Ky qëndrim ndryshon radikalisht krejt ekuilibrat në Evropë.
Në Lindjen e Mesme SHBA redukton prioritetin strategjik, por mbështet zgjerimin e Akordeve Abrahams, garanton sigurinë e Izraelit, ruan qarkullimin e energjisë, gazit dhe mineraleve,
mban të hapura korridoret detare nga Suez në Hormuz.
Irani, Koreja e Veriut dhe Afrika kalojnë në plan të dytë.
Drejtimi i strategjisë është i qartë
forcë ushtarake e pakrahasueshme, angazhim minimal në luftëra të gjata,
transferim i barrës te aleatët,
rindërtim i fuqisë ekonomike brenda vendit, ndalim i migracionit dhe drogës,shtrëngim i kufijve, shkurt
shkëputje e ngadaltë nga globalizmi tradicional.


