Vlerësimi Parandalues për Korrupsionin (CPL) është një metodologji e miratuar zyrtarisht dhe e përdorur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për të identifikuar, vlerësuar dhe minimizuar risqet e mundshme të korrupsionit në projektligje para miratimit të tyre. Qëllimi i kësaj metodologjie është të sigurojë që legjislacioni të hartohet në mënyrë më të qartë dhe transparente, duke identifikuar boshllëqe, hapësira të panevojshme vendimarrjeje, procedura të paqarta dhe mekanizma të dobët mbikëqyrjeje që mund të krijojnë mundësi për korrupsion. Përmes kësaj metodologjie të standardizuar dhe të miratuar institucionalisht, Kuvendi përmirëson cilësinë e procesit ligjbërës, rrit llogaridhënien dhe përafron legjislacionin shqiptar me standardet europiane dhe ndërkombëtare kundër korrupsionit.
Sfondi
Projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje” u përzgjodh për Opinionin e Vlerësimit Parandalues ndaj Korrupsionit për shkak të ndikimit të tij në interesin publik dhe rolit rregullues në një sektor ku ndërthuren flukset financiare, konkurrenca e tregut dhe hapësirat e vendimmarrjes rregullatore. Duke qenë se fokusohet në transparencë, llogaridhënie dhe harmonizim me standardet e Bashkimit Europian, projektligji përmban fusha të rëndësishme ku mund të shfaqen risqe korrupsioni dhe konflikte interesi. Kryerja e CPL për këtë projektligj ishte e domosdoshme për të identifikuar hapësirat e mundshme për korrupsion, për të sqaruar përgjegjësitë institucionale dhe për të siguruar që kuadri rregullator të nxisë konkurrencë të ndershme, mbikëqyrje efektive dhe integritet në të gjithë sistemin.
Gjetjet kryesore
Analiza tregoi se:
Procesi i konsultimit publik (25 tetor – 7 dhjetor 2023) rezultoi vetëm me katër komente, pavarësisht 2,317 shikimeve, duke treguar përfshirje të kufizuar të palëve të interesit. Bashkitë, të cilat preken drejtpërdrejt nga ligji, nuk janë konsultuar, ndërsa mungesa e shqyrtimit nga Këshilli Konsultativ paraqet një mangësi të rëndësishme procedurale.
Projektligji synon të forcojë parimin “ndotësi paguan” përmes reduktimit të mbetjeve, rritjes së riciklimit dhe rritjes së llogaridhënies përgjatë zinxhirit të vlerës. Dispozitat e tij janë të harmonizuara me Direktivën e BE-së për Mbetjet dhe kontribuojnë në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 27 të negociatave të anëtarësimit.
Ligji i shërben interesit publik duke mbështetur një menaxhim më efikas të mbetjeve dhe potencialisht ulje të kostove afatgjata për qytetarët. Megjithatë, ekziston rreziku i konflikteve të interesit me Shoqërinë për përgjegjësinë e zgjeruar të subjektit prodhues (SHPZP) që funksionon si subjekt tregtar dhe mund të prioritetizojnë fitimin. Mospërputhjet ndërmjet përkufizimeve në RIA dhe atyre në projektligj e rrisin më tej rrezikun e keqinterpretimit.
Nisma është e justifikuar, pasi nuk ka ekzistuar më parë një ligj i dedikuar për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhueseve dhe sektori ka nevojë për rregullim dhe mbikëqyrje më të qartë.
Ekziston rreziku që kostot e përputhshmërisë t’u transmetohen konsumatorëve, ndërsa projektligji nuk ofron një vlerësim financiar të qartë. Për më tepër, përjashtimi i propozuar nga taksat ekzistuese mbi plastikën mungon në prova të bazuara. Pavarësisht këtyre boshllëqeve, ligji ka potencial të ulë shpenzimet publike dhe të nxisë norma më të larta riciklimi në afatgjatë.
Diskutim/Analizë
Implikimet: Analiza tregon se projektligji e afron Shqipërinë me standardet e BE-së për menaxhimin e mbetjeve, duke forcuar parimin “ndotësi paguan” dhe qartësuar përgjegjësitë. Megjithatë, dobësitë në përfshirjen e palëve të interesit, veçanërisht mungesa e rolit të bashkive dhe e shqyrtimit nga Këshilli Konsultativ, mund të kufizojnë zbatimin efektiv. Rreziqet e konfliktit të interesit me SHZP- në dhe mospërputhjet midis RIA-s dhe projektligjit krijojnë hapësirë për keqinterpretim. Ndikimet financiare mbeten gjithashtu të paqarta, veçanërisht mundësia e transferimit të kostove te konsumatorët, duke theksuar nevojën për mbikëqyrje më të fortë dhe një vlerësim financiar më të qëndrueshëm.
Kufizimet:
Analiza është bazuar në dokumentacionin e disponueshëm të lidhur me projektligjin, përfshirë regjistrin e konsultimit publik, RIA-n dhe vetë tekstin ligjor, të cilat mund të mos përfshijnë diskutimet informale ose vlerësimet financiare të papublikuara të kryera nga institucionet. Numri i kufizuar i komenteve gjatë konsultimit pengon gjithashtu kuptimin e plotë të perspektivave të palëve të interesit, veçanërisht bashkive dhe operatorëve privatë që nuk u angazhuan aktivisht. Këto boshllëqe nënkuptojnë se, ndonëse gjetjet paraqesin një pasqyrë të qartë të risqeve dhe hapësirave për korrupsion, nevojitet input shtesë nga aktorët e prekur për një vlerësim më të plotë dhe të balancuar.
Përfundim
Opinioni I Vlerësimit Parandalues Të Korrupsionit Mbi Projektligjin u nda me 140 deputetë të Kuvendit, dhe më tej ACER, AIS dhe WFD morën pjesë aktivisht në seancën dëgjimore të Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. Ky angazhim siguroi që aktorët kyç të informoheshin mbi gjetjet kryesore, përfshirë risqet, hapësirat e mundshme për korrupsion dhe mundësitë që paraqet projektligji. Një zhvillim pozitiv është rikthimi i ligjit në Kuvend për rishqyrtim dhe rikonsultim publik, i cili ofron mundësi për të adresuar çështjet e ngritura, për të forcuar pjesëmarrjen e palëve të interesit dhe për të përmirësuar qartësinë ligjore, si dhe efektivitetin financiar dhe operacional të legjislacionit


