Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, dhe prokurorja Dorina Bejko morën pjesë më 2–3 dhjetor në takimin e nivelit të lartë të prokurorëve nga Ballkani Perëndimor dhe Amerika Latine, i zhvilluar në selinë e EUROJUST-it në Hagë.
Gjatë fjalës së tij, Dumani nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të shpejtë të informacionit dhe theksoi se SPAK ka kaluar nga një agjenci që vetëm merrte informacion në një institucion që furnizon partnerët ndërkombëtarë me të dhëna operacionale.
Në kuadër të takimit, SPAK nënshkroi pesë memorandume mirëkuptimi me prokuroritë e Brazilit, Kilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Paraguajit, duke synuar forcimin e bashkëpunimit kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar.
Ky aktivitet ishte pjesë e eventit tre ditor më të madh të organizuar ndonjëherë nga EUROJUST, me fokus në bashkëpunimin operacional mes Bashkimit Europian dhe vendeve të treta.


