Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në ceremoninë e promovimit të librit të ambasadorit amerikan Christopher Hill.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi diplomatin si një figurë të veçantë në historinë e marrëdhënieve amerikane me Ballkanin.
Rama u shpreh se po të ishte porositur të shkruante një libër për ambasadorët amerikanë në Ballkanin Perëndimor, titulli do të ishte “Fantazma dhe Prima Donna”.
“Dua të them që po të isha porositur të shkruaja një libër për ambasadorët amerikanë në këtë rajon titulli do të ishte ‘Fantazma dhe Prima Donna’, fantazma është Hilli dhe të tjerët ishin Prima Donna. Ndërsa koha kalon Prima Donna-t zbehen ngadalë, ndërsa fantazma jo. Emri i tij riciklohet gjithmonë e po kështu shoqërohet me disa teori shumë tërheqëse konspirative. Më duhet ta them që kur dëgjova për herë të parë për Christopher Hill ishte kur më thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg.
Ishte një mënyrë mbresëlënëse për të lënë pas emrin, pasi sapo kishte hyrë në Shqipëri dhe thjesht nuk ishte i angazhuar në asnjë reformë, por thjesht kishte çuar në burg dikë dhe ishe larguar.
Ka diçka që mund ta them me siguri dhe mendoj që jam i sigurt kur e them, se Christopher Hill është ndoshta i vetmi diplomat amerikan që ka shërbyer si ambasador në këtë rajon që nuk e kupton Ballkanin nga distanca, por e kupton atë nga brenda, sepse ai e ka jetuar Ballkanin në të gjitha këndet e tij. Praktikisht e ka përshkuar të gjitha hartën e tij dhe çuditshëm kurrë nuk ka shfaqur ndonjë tundim për t’u bërë ndonjë ndikues.
Ka qenë i pranishëm si një mjeshtër pëshpëritës. Nuk e di ça u ka pëshpëritur kryeministrave dhe presidentëve të vendeve ku ka shërbyer, por ajo që di është që kur e kam takuar për herë të parë Christopher Hill më la shumë mbresë. Nuk më dukej si burgosës i njerëzve të opozitës. Së dyti, më la mbresë për mënyrën si dëgjonte”,-tha Rama


