Kongresi Amerikan i ka kërkuar administratës së Donald Trump të shtojë angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, thirrje kjo që erdhi nga pjesëmarrësit e diskutimeve në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të cilët konsiderojnë se kjo lëvizje do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit ku sipas tyre, Rusia përmes Serbisë është faktor themelor paqëndrueshmërie.
Në çelje të seancës dëgjimore, kryetari republikan i Nënkomitetit për Europën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Europë”.
Marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka i mundëson Rusisë ta minojë akoma edhe me tej Bashkimin Europian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit, deklaroi ai.
Në rast konflikti, aleatët e NATO-s, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, nënvizoi Self, duke shtuar se një gjë e tillë mund të çojë në aktivizimin potencial të nenit 5 të Aleancës.
Aleatët e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku pengesë politike dhe ushtarake, por Kosova insistoi ai, do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e aleancës ushtarake.
Kundërshtarët e SHBA-së po i shfrytëzojnë aktivisht dobësitë për të zhvilluar luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë në rajon, tha Self, duke nënvizuar se Kina po e përdor ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi.
Përveç kësaj, shtoi ai, Kina po nënshkruan marrëveshje ekonomike në të gjithë rajonin me synimin e ruajtjes së aparatit të saj keqdashës dhe shfrytëzimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.
Rusia gjithashtu ndikon në rritjen e tensioneve në Bosnje, në Republikën Sërpska dhe në Serbi, theksoi Self, duke vënë në pah se ish-presidenti i entitetit serb në Bosnje, Millorad Dodik, po vazhdon të përdorë kapitalin e tij politik për ta kontrolluar Republikën Sërpska dhe për të vepruar në interes të Rusisë duke kërcënuar me ndarjen e saj nga Bosnja.
Nga ana tjetër, sipas tij, Serbia, pavarësisht dërgimit indirekt të armëve në Ukrainë, ka gjithashtu lidhje mbrojtëse me Rusinë dhe Kinën, dhe promovon propagandën kineze dhe ruse. Ai vuri në dukje se për të përfunduar ndikimin politik të Moskës, duhet trajtuar çështja e varësisë së Serbisë nga energjia ruse.
Luke Coffey, hulumtues në Qendrën për Evropën dhe Euroazinë në Institutin Hudson, tha se Rusia e sheh Ballkanin si zonë për shkaktim të destabilitetit dhe për përçarjen e aleancës transatlantike, ndërsa Serbia mbetet ndihmës i Rusisë dhe shërben si bazë kryesore ruse në rajon.
“Ndërsa Serbia herë pas here pretendon një qasje të balancuar të politikës së jashtme, realiteti është se Beogradi është i ankoruar thellë në orbitën ruse dhe kjo nuk do të ndryshojë së shpejti”, tha Coffey.
Ai shtoi se Kremlini përdor Republikën Sërpska për të përhapur më tej paqëndrueshmëri, duke theksuar se Dodik, edhe pse është shkarkuar nga funksioni, mbetet me ndikim dhe vazhdon të avokojë për shkëputje, gjë që është mbështetur prej vitesh nga Rusia dhe Serbia. Ai gjithashtu kritikoi heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Coffey vlerësoi se Marrëveshja e Dejtonit është një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë dhe se zhbërja e saj do të krijonte paqëndrueshmëri të mëtejshme.
“Edhe pse SHBA nuk është vend ballkanik, ajo mund të jetë fuqi ballkanike, dhe presidenti Trump duhet të marrë hapa për të siguruar mbrojtjen e interesave kombëtare amerikane atje”, tha Coffey


