Dy persona janë arrestuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla mbrëmjen e së dielës në Elbasan. Në pranga është vënë ish-ortaku i Mëhallës me akuzën për vrasje si dhe roja i karburantit “Xhaxhi Oil”, ku ndodhi ngjarja, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Naldi Gjini, i cili u shoqërua një ditë më parë pasi ishte parë ditët e fundit duke qarkulluar me makinën që përdorën autorët në ekzekutimin e 43-vjeçarit, është ende i shoqëruar dhe pa fletë arresti. Ndërkohë, në kërkim është shpallur edhe një person tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Naldo Gjini, me origjinë nga Lezha, ishte parë ditëve të fundit të qarkullonte në rrugën e Kombit me makinën që përdorën autorët në vrasje. Policia e Lezhës ushtroi kontrolle në banesën e tij në Lezhë. Automjeti i përdorur nga autorët ishte në pronësi të subjektit të viktimës, që jepte makina më qira.
Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës kur biznesmeni Mondi Mëhalla sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil” dhe hyrë në makinën tip “Range Rover”. Ai u qëllua tre herë me plumba pistolete, dy prej të cilëve e kapën në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Njëri nga autorët ka dalë nga makina tip “Audi”, është afruar dhe e ka qëlluar. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në fshatin Mirakë. Brenda mjetit, që u gjet e djegur paraditen e djeshme, u gjet edhe një pistoletë Beretta e përdorur në krim.
43-vjeçari nuk ishte person i panjohur për policinë, me precedentë për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Ai jetonte në Tiranë në zonën e Komunës së Parisit, ndërsa kishte shtrirë prej vitesh aktivitetet e tij të biznesit në Elbasan. Ai ishte pronar i karburantit “Xhaxhi Oil, pranë të cilit u ekzekutua në atentatin mafioz, një shërbimi taksi “El Taxi”, të ngritur së fundmi si dhe deri para pak vitesh posedonte një lokal të njohur në Elbasan, “Hollywood Lounge Bar”, aktualisht me aktivitet të pezulluar.


