28 Nëntori është dita kur kujtojmë se shteti shqiptar, “Shqipëria e lirë dhe e mosvarme”, u themelua mbi vizionin, vendosmërinë dhe sakrificën e burrave të shtetit që vunë interesin kombëtar përpara çdo ambicie personale.
Ismail Qemali, delegatët dhe bashkpunëtorët e tij, vepruan në rrethana tejet të rënda: pa siguri, pa fonde, pa një administratë funksionale, nën rrezikun e copëtimit territorial dhe pa mbështetjen e duhur ndërkombëtare. Megjithatë, ata shpallën një akt shtetformues historik.
Sot, më shumë se një shekull pas themelimit të shtetit shqiptar, kemi shtet, por shpesh të kapur nga një elitë politike e korruptuar; kemi institucione, por nën presionin për t’i shërbyer pushtetit personal të një grushti njerëzish, jo interesit publik.
Kemi Kushtetutë, por ajo rrezikon të degradojë nga ligji themeltar i shtetit në një mekanizëm formal nën trysninë e pushtetit politik dhe interesave private, duke humbur rolin e saj parësor: garantimin e rendit kushtetues, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
ADVERTISING
E ndryshe nga 113 vite më parë, sot Shqipëria ka mbështetjen e Bashkimit Europian dhe partnerëve strategjikë SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Por, për fat të keq, ndryshe nga mbi një shekull më parë, janë sharlatanët që qeverisin e dominojnë politikën dhe mendojnë vetëm për zgjedhjet e radhës, për mbrojtjen e interesave të ngushta, forcimin e pushtetit personal dhe e trajtojnë këtë vend si pronë të tyre, si një mall pa zot.
Ky realitet nuk është thjesht i trishtë — është turpërues.
Etërit e kombit luftuan për një atdhe dhe për një vizion të së ardhmes që ata vetë nuk do ta jetonin kurrë, por që do t’i shërbente brezave që do të vinin pas. Ky është testamenti i tyre politik. Dhe është i pakrahasueshëm me realitetin dhe teatrin politik që shohim sot.
Sfida e sotme e Shqipërisë nuk është vetëm ekonomike e sociale, por mbi të gjitha morale.
Nderimi më i madh për themeluesit e shtetit shqiptar është të tregojmë të njëjtin guxim, ndershmëri, integritet dhe të kemi të njëjtin përkushtim e sakrificë për interesin kombëtar. Vetëm atëherë festa e Pavarësisë nuk do të mbetet thjesht kujtim i së shkuarës, por do të bëhet shpresë e së ardhmes.
Shqipërisë i duhet një klasë politike dhe lidership që punon për një Shqipërinë që ndoshta nuk do ta jetojë vetë, por që do t’u shërbejë brezave që vijnë, i duhet një lidership që nuk mendon për pushtetin e tij në 5 vitet e ardhshme, por që ka vizionin për të ndërtuar Shqipërinë e 50 viteve që vijnë në horizontin që jo gjithkush mund ta shquajë.
Gëzuar 28 Nëntorin!
Ditën e Flamurit që na kujton kush ishin burrështetasit e vërtetë — dhe kush janë sharlatanët e korruptuar sot


