Ambasadorja e Kinës mesazh të koduar: Shqipëria të hapë një rrugë të re për të ardhmen

spot_img
Advertisements

PANG CHUNXUE

Ky vit shënon 80-vjetorin e fitores në Luftën Botërore Antifashiste dhe themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tetëdhjetë vjet më parë, shkatërrimet e dy luftërave botërore e nxitën komunitetin ndërkombëtar të reflektojë thellë mbi pasojat e hidhura, duke çuar në lindjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe duke hapur kështu një epokë të re për qeverisjen globale. Tetëdhjetë vjet më vonë, unilateralizmi po rishfaqet sërish dhe sfidat globale po vijnë njëra pas tjetrës. Si të reformohet edhe përmirësohet qeverisja globale është një çështje thelbësore që komuniteti ndërkombëtar duhet ta marrë seriozisht në konsideratë.

Përgjigje pyetjeve që shtron koha sot: Reformimi dhe përmirësimi i Qeverisjes Globale
Nisma e Qeverisjes Globale e paraqitur nga Presidenti Xi Jinping, iu jep një përgjigje të thellë pyetjeve madhore e kritike të kohës, se kush qeveris, si qeveriset dhe për kë qeveriset, në një kohë kur deficiti i qeverisjes globale po rritet vazhdimisht. Nisma përfshin pesë parime kryesore: mbështetjen e barazisë sovrane, respektimin e ligjit ndërkombëtar, multilateralizmin, parimin “njeriu në qendër” dhe përpjekja për rezultate reale e efektive.

—Barazia sovrane është parakushti kryesor për qeverisjen globale. Të gjitha vendet, pavarësisht nga madhësia, fuqia apo pasuria e tyre, gëzojnë të drejtën të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në çështjet ndërkombëtare. Situata e pabarabartë ku një pakicë vendesh monopolizon qeverisjen globale nuk duhet të vazhdojë më.

—Ligji ndërkombëtar është garancia themelore e qeverisjes globale. E drejta dhe rregullat ndërkombëtare janë standarde të përbashkëta që duhet të hartohen, të mbrohen dhe të zbatohen bashkërisht nga të gjitha vendet. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë përjashtime.

—Multilateralizmi është qasja themelore ndaj qeverisjes globale. Qeverisja globale është një çështje e të gjithëve, që ka të bëjë me interesat jetike të çdo vendi, prandaj duhet të mbështetet në koordinim dhe bashkëpunim dhe jo në imponim dhe arrogance të njëanshme.

—Parimi “njeriu në qendër” përbën sistemin e vlerave të qeverisjes globale. Në fund të fundit, qeverisja globale synon të bëjë realitet aspiratat e popujve për një jetë më të mire, për të ndërtuar së bashku një botë ku çdo njeri të gëzojë më shumë siguri e mirëqenie.

—Përpjekja për rezultate reale dhe efektive është një parim i rëndësishëm i qeverisjes globale. Vitaliteti i qeverisjes globale buron nga praktika, çelësi qëndron te veprimi dhe si kriter themelor duhet të ketë efiktivitetin. Duhet ti adresohemi si të tashmes, ashtu edhe të ardhmes, për të zgjidhur siç duhet çështjet praktike me interes për të gjitha vendet, veçanërisht vendet në zhvillim.

Të mbajmë lart e flamurin e multilateralizmit: Të mbështesim parimin e konsultimit të gjerë, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta

Pas Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale dhe Nismës së Qytetërimit Global, Nisma e Qeverisjes Globale është një produkt tjetër publik i rëndësishëm që Kina i ofron komunitetit ndërkombëtar, duke iu përgjigjur në mënyrë të gjallë pyetjes së kohës: “Çfarë lloj sistemi të qeverisjeje globale duhet ndërtuar dhe si duhet reformuar dhe përmirësuar qeverisja globale”.

Është e rëndësishme të theksohet se Nisma e Qeverisjes Globale nuk synon shembjen dhe rindërtimin e rendit ekzistues ndërkombëtar apo krijimin e një rendi të ri. Ajo është në përputhje të plotë me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe synon reformimin dhe përmirësimin e qeverisjes globale, për t’u përshtatur më mirë me rrethanat në ndryshim, për të përballuar më efektivisht sfidat dhe për të mbrojtur më me forcë sistemin ndërkombëtar me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Nisma e Qeverisjes Globale i përmbahet parimit të konsultimit të gjerë, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta, mbron idenë që çështjet globale të diskutohen bashkërisht, sistemi i qeverisjes të ndërtohet bashkërisht dhe rezultatet e qeverisjes të ndahen bashkërisht, duke hedhur poshtë të gjitha veprimet unilaterale.

Bashkimi dhe uniteti i forcave: Të ndërtojmë së bashku një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin

Nisma e Qeverisjes Globale ka si objektiv ndërtimin e një sistemi të qeverisjeje globale më të drejtë dhe të barabartë, për të ecur së bashku drejt një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Trendi i globalizimit është mbizotërues dhe i pandalshëm, të gjitha vendet në botë janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin dhe ndajnë një fat të përbashkët. Reformimi i sistemit të qeverisjes globale dhe përballimi i sfidave globale nuk mund të arrihet vetëm nga një vend.

Shqipëria merr pjesë aktivisht në punët e Kombeve të Bashkuara, dhe ka mbështetur multilateralizmin, ka vullnetin, të drejtën dhe aftësinë për t’u bërë një forcë e rëndësishme në procesin e reformimit të qeverisjes globale. Kina është e gatshme të thellojë shkëmbimet, të shkëmbejë ide dhe të forcojë bashkëpunimin me të gjitha vendet, përfshirë Shqipërinë, për të kontribuar me mençurinë kolektive në rritjen e përfaqësimit dhe të drejtës së fjalës së vendeve në zhvillim, për të hapur një rrugë të re praktike për përballimin e sfidave globale gjithnjë e më të mprehta, për të dhënë një shtysë të fuqishme në promovimin e qeverisjes globale më të barabartë dhe më të aksesueshme, të bashkojmë forcat për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe të krijojmë bashkërisht një të ardhme të ndritur me paqe, siguri, prosperitet dhe progres për të gjithë njerëzimin.

  • Autorja, ambasadore e Kinës në Shqipëri

Latest articles

Related articles