Skandali i njohur si “Afera Bankers” ka marrë përmasa edhe më të gjera pas evidentimit të një dëmi ekonomik që arrin në dhjetëra miliona euro, ndërsa hetimet kanë prodhuar deri tani masa sigurie ndaj disa ish-zyrtarëve të kompanisë dhe personave të përfshirë në skemat e dyshuara. Pas arrestimeve të para të ekzekutuara nga Prokuroria e Fierit, çështja është zgjeruar ndjeshëm duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore, strukturave të pushtetit vendor dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale.
Zgjerohen hetimet për skandalin Bankers. SPAK vë në hetim administratën tatimore dhe zyrtarë publik e të zgjedhur vendor.
Pas kalimit të dosjes nga Prokuroria e Fierit në Prokurorinë e Posaçme, dy prokuroret Anita Jella dhe Enkeleida Millonai kanë vënë në sitën e hetimit edhe veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet e SPAK.
Në një përgjigje të SPAK thuhet se kjo dosje po hetohet për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”
Në mesin e të ndaluarve janë administratorët e kompanisë, përfshirë Hongping Xiao dhe ish-administratori Leonidha Çobo, si dhe drejtori i financës, Ardit Kero, i cili ka qenë pjesë e kompanisë për më shumë se 15 vjet.
Pesë persona të tjerë janë ende në kërkim, ndërsa pritet që hetimet të shtrihen edhe ndaj entiteteve të tjera juridike dhe individëve të përfshirë në skemën e dyshuar mashtruese.


