Problemi është dhe ka qenë gjithnjë qeveria, jo gjykata – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Nga Fitim ZEKTHI

Sa më shumë prokuroria kundër krimit dhe korrupsionit prek njerëz të fuqishëm të politikës dhe krimit, aq më e madhe dhe më e egër bëhet lufta ndaj saj. Vendimi për të pezulluar nga detyra ministren e Punëve Publike, Belinda Balluku, shkaktoi debate dhe tallaze shumë të forta në të gjitha programet televizive dhe në të dy kampet politike. Pavarësisht se në pamje të parë PS-ja dhe qeveria zyrtarisht nuk foli ashpër duke e sulmuar gjykatën si të kapur apo si politike (edhe pse e quajti vendimin “ndërhyrje brutale”) dhe pavarësisht se në pamje të parë opozita u duk sikur ishte dakord me vendimin për ministren, ishte e qartë se të dyja ishin të lemerisura nga vendimi.

Shqipëria, qeveria dhe opozita, si edhe shumë njerëz të komentariatit politik janë të zhytur në mendësinë e mospranimit të fuqisë së degës së tretë të pushtetit – asaj të drejtësisë. Një mbetje e kohës së komunizmit ose një mendësi e ushqyer nga egoja dhe interesi personal, mospranimi i drejtësisë është kthyer në njërin prej momenteve më të pashkulshëm të kulturës politike shqiptare.

Qeveria pretendon prej kohësh se prokuroria dhe gjykatat po shkelin mbi pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ, se vendi po kthehet në një “republikë prokurorësh”. Ka pasur shumë njerëz të qeverisë që flasin për një “grusht shteti të drejtësisë”. Opozita, nga ana e saj, kurrë nuk ka pranuar atë që bën prokuroria dhe gjykata; përkundrazi, i ka quajtur ato mjete të qeverisë kundër opozitës, instrumente të krimit kundër saj.

Qeverisja në thelb përbëhet nga degë dhe asnjëra prej tyre nuk ka epërsi ndaj tjetrës. Secila është e pavarur dhe secila kontrollon në njëfarë mase tjetrën. Këto degë, Këshilli i Ministrave, Parlamenti dhe gjykatat janë ideuar në mënyrë të tillë që askush të mos jetë mbi ligjin dhe askush të mos jetë i paprekshëm. Në Shqipërinë komuniste ishte e qartë se Partia e Punës ishte pushteti i vetëm dhe se paprekshmëria e disa politikanëve ishte absolute. Gjatë viteve të pluralizmit, Këshilli i Ministrave ka qenë pushteti që ka dominuar egërsisht dy të tjerët, duke u kthyer në një lloj ligjësie absolute, ku gjykatat “nuk guxonin” të preknin vendimet e ekzekutivit.

Këshilli i Ministrave si pushtet dhe politikanët si kategori janë trajtuar si të paprekshëm. Ashtu si në parimet e jakobinëve në Revolucionin Francez, por edhe si në parimet e komunistëve kur morën pushtetin, Këshilli i Ministrave, politikanët dhe partia e tyre nuk mund të preken. Ata përfaqësonin gjoja “vullnetin e popullit”, që konsiderohej mbi çdo gjë. Nëse do të dukej diku qoftë edhe një grimcë prekshmërie e politikanëve ose e qeverisë, menjëherë do të shpërthente reagimi: ishte prekur mandati i popullit, ishte cënuar vullneti i tij, ishte bërë “grusht shteti”.

Kjo mendësi totalitare dhe pa dyshim komuniste është brendësuar thellë dhe është bërë mënyra standarde e shpjegimit dhe justifikimit të politikës. Politikanët nuk kanë asnjë përparësi krahasuar me qytetarët e zakonshëm përpara ligjit, përkundrazi, ata janë më të ekspozuar, sepse vetë me vullnet kanë kërkuar të heqin dorë nga privilegji i të qenit njerëz të zakonshëm dhe të marrin përsipër shërbimin publik. Ky është kufizimi i politikanit dhe qeveritarit.

Nga të tre degët e pushtetit, Këshilli i Ministrave, ekzekutivi, është më i rrezikshmi, ndaj tij njerëzit dhe teoricienët kanë pasur gjithmonë më shumë frikë, dhe për këtë arsye i janë vënë më shumë mekanizma kontrolli. James Madison e quante ekzekutivin “shpata”, sepse ka forcën e kontrollit të agjencive që zbatojnë ligjin, ndërsa Parlamentin (Kongresin) e quante “thesi”, sepse ka paratë dhe miraton buxhetin. Gjykatat ai i quante “peshorja” dhe thoshte se ato janë dega më e dobët e pushtetit. Shpata është më e fortë se thesi, dhe të dyja së bashku janë më të forta se peshorja.

Prandaj, në një sens, të thuash se pezullimi nga detyra i një ministri qenka “ndërhyrje brutale në pavarësinë e ekzekutivit” ose “grusht shteti i gjyqësorit” është një keqkuptim i plotë i natyrës së pushteteve. Ekzekutivi menjëherë, me anë të dekretit të presidentit ose me votën e parlamentit, e zëvendëson ministrin. Grushti i shtetit ka të bëjë me rrëmbimin në mënyrë antikushtetuese të pushtetit nga një organ, institucion apo degë e qeverisjes, dhe kjo nuk ka ndodhur.

Në Shqipëri, që prej vitit 1992, kemi pasur grushte të vazhdueshme pushteti në kuptimin që Këshilli i Ministrave dhe kryeministri kanë rrëmbyer gjithnjë pushtetin e parlamentit duke e gjunjëzuar dhe detyruar atë të bëjë atë që do kryeministri. Ata kanë gjunjëzuar edhe gjykatat duke i bërë ato të kthehen në një degë pushteti që në fakt nuk ekziston në kushtetutë – dhe aq më pak të kontrollojë qeverinë.

Kur ngulitet thellë një mendësi, si mendësia komuniste e paprekshmërisë së qeverisë dhe e “vullnetit të popullit”, kur ngulitet bindja se gjykata nuk është një degë e barabartë dhe kontrolluese e pushtetit, dhe kur ngulitet ideja se ligji bie vetëm mbi të dobëtit dhe jo mbi të fortët, atëherë natyrshëm pezullimi nga detyra i një ministri do të duket si “akt brutal i ndërhyrjes së gjykatës” ose si “grusht shteti”.

Por nëse e mendon gjykatën si peshoren përballë shpatës dhe thësit, dhe nëse e mendon sistemin politik si një rend ku askush nuk është i paprekshëm, atëherë pezullimi i një ministri është një akt fare i zakonshëm dhe plotësisht normal.

Latest articles

Related articles