Një shqiptar në Itali është kthyer në hero pasi shpëtoi një 85-vjeçar që rrezikonte të mbytej në kanalin Battaglia, në Padova. Ngjarja ndodhi rreth mesditës të së enjtes, kur i moshuari humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në ujërat e akullta pas një manovre të gabuar pranë zonës Villa Molin.
Elton Zefi, 35 vjeç, i cili po kalonte rastësisht në vendin e ngjarjes, pa makinën që po fundosej dhe njerëzit të shokuar në breg.
“Desha të hidhesha menjëherë, por një person më ndaloi dhe më tha të prisja momentin e duhur”, tregon ai.
Në momentin kur i moshuari nisi të bërtiste për ndihmë, Zefi dhe një person tjetër u hodhën në ujë. Makina ishte gati e zhytur, por bagazhi u ngrit pak mbi sipërfaqe dhe Zefi u ngjit mbi të për të thyer xhamin, pasi ishte i vetmi vend nga ku mund të ndërhynin.
Përpjekjet dhanë rezultat.
“Pasi theva xhamin, një dorë doli nga brenda dhe ne e tërhoqëm me gjithë forcën. Në fillim ishte e vështirë, por fatmirësisht ia dolëm. I moshuari doli i gjallë dhe nuk pushonte së na falënderuari”, tha ai.
Shërbimet e emergjencës mbërritën pak minuta më vonë, duke u dhënë ndihmë Zefit dhe personit tjetër që u futën në ujë, pasi temperaturat ishin shumë të ulëta. 85-vjeçari u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Jam i lumtur që dolëm me sukses. Gëzimi që ndjemë kur e nxorëm të gjallë ishte i paçmuar,” tha Zefi.
Ngjarja u filmua edhe nga një kamera lokale dhe pamjet po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, ku Elton Zefi po vlerësohet si hero.


