Ashtu siç ishte paralajmëruar, shoqata Animal Rescue Albania, së bashku me disa organizata të tjera për mbrojtjen e kafshëve, organizoi sot protestën në Sheshin Skënderbej, duke marrë shkas nga helmimi i qenushëve të rrugës, rast ky i përsëritur herë pas here dhe i publikuar në rrjetet scoiale nga organizata Arsalbania.
Qindra qytetarë me pankarta në duar për mbrojtjen e kafshëve, bënë thirrje që ti jepet fund këtyre metodave çnjerëzore të trajtimit dhe zhdukjes së tyre.
Gjithashtu përfaqësues të organizatës i bënë thirrje Bashkisë të Tiranës që të hetojë rastet e helmimit të qenëve dhe të shtojë përkujdesjen ndaj tyre, pasi jo vetëm është diçka kriminale, por edhe dhunë psikologjike për gjithë shoqërinë.
Më herët Arsalbania ka postuar foto dhe video të qenëve të helmuar në disa zona të ndryshme.
Protestuesit theksuan se helmime të tilla nuk mund të tolerohen më, duke e quajtur ngjarjen “barbare” dhe shembull të dështimit të institucioneve lokale në menaxhimin e kafshëve të rrugës.
Në postimin e fundit, organizata shkruante se rasti ka tronditur punonjësit e zonës, të cilët prej pesë vitesh kujdeseshin për qentë, i ushqenin dhe i strehojnë me iniciativë personale.
“Njëri nga kolegët tanë që punon tek trau kujdesej për ata dy qentë prej më shumë se pesë vitesh. I ushqente çdo ditë, u kishte bërë edhe krevatet e tyre, dhe të gjithë ne, në staf e në lagje, i donim shumë” – thanë punonjësit.
Ata i përshkruan dy qentë si të butë, paqësorë dhe të padëmshëm.
“Ishin qentë më të qetë, më paqësorë dhe më të mirë që mund të imagjinoni. Të moshuar, të butë, kurrë nuk kanë ngacmuar njeri dhe nuk janë përfshirë asnjëherë në ndonjë konflikt me kafshë të tjera” – u shprehën ata.
Organizatorët kërkuan hetime serioze, fund të praktikave të dhunës nga bashkitë, ngritjen e një Agjencie Kombëtare për Menaxhimin e Kafshëve dhe dënime të rënda për çdo akt dhune ndaj kafshëve.
Në deklaratat e tyre, aktivistët nënvizuan se kjo është një çështje më e gjerë se sa rasti i dy qenve të helmuar.
“Kjo nuk është vetëm çështje qensh. Kjo është çështje e shtetit ligjor dhe sigurisë publike” – thanë protestuesit.
Protesta u zhvillua paraditen e sotme, me pjesëmarrje të aktivistëve, qytetarëve dhe punonjësve të zonës, të cilët kërkuan që rastet e dhunës ndaj kafshëve të mos mbeten më të pandëshkuara.


