“Më shumë të rinj po preken nga “SPOK”, mjeku: shkak cigaret, vapes, nikotina toksike

spot_img
Advertisements

Duhanpirja është shkaku kryesor i shkatërrimit të organit të mushkërisë, duke e bërë atë të vuajë nga pamjaftueshmëria e ajrit për shkak të anomalive në bronke.

Llogaritet që rreth 13% e shqiptarëve të vuajnë nga ky kushtëzim në mushkëri, ose siç njihet ndryshe SPOK, sëmundja obstruktive kronike e mushkërisë.

“Kemi rritje të rasteve në moshat e reja që fillojnë nga mosha 40–45 vjeç. Ne kemi si kusht të paktën 10 vite konsum duhani për të pasur kushtet për t’u diagnostikuar me këtë sëmundje”, tha Serxho Golgota, Pneumolog, Spitali Universitar ‘Shefqet Ndroqi’.

Shenjat e instalimit të sëmundjes fillojnë me kollë, vështirësi në frymëmarrje, dobësi, pafuqi për aktivitete minimale dhe rënie në peshë. Në këto kushte, një grafi e mushkërive dhe një spirometri, thotë pneumologu, janë të domosdoshme.

“Fatkeqësisht, ne kemi fatkeqësinë që gjithmonë t’i diagnostikojmë në stade të avancuara. Në momentet kur është instaluar insuficienca respiratore, dhe këtu një përqindje goxha e lartë e këtyre të sëmurëve që paraqiten për herë të parë janë me mungesë oksigjeni”, tha pneumologu.

Por si duket një mushkëri e sëmurë nga SPOK?

“E shkatërruar, ka humbur indi pulmonar; në grafi shihet zgjerim i hapësirave ndërbrinore dhe rritje e transparencës së mushkërisë”, theksoi mjeku.

Sot, as lënia e duhanit dhe as trajtimet e reja nuk e ndalojnë sëmundjen, por vetëm e ngadalësojnë avancimin e saj. Falë trajtimeve më të mira është ulur numri i shtrimeve.

“Nëse më parë bënim 10 shtrime, 7–8 ishin dëmtime nga duhani. Kohët e fundit ka rënë kjo shifër, është bërë 2–3. Në 10–15 shtrime janë raste të diagnostikuara për herë të parë ose rishtrime. Kjo vjen si pasojë e pasurimit të librit të barnave të rimbursueshme me pompa që janë fjala e fundit e shkencës”, nënvizon ai.

Kujdes, jetëgjatësia e një individi, pasi instalohet insuficienca respiratore, nuk shkon më shumë se 10 vite. Ndaj mjekët apelojnë: “Lini menjëherë duhanin, pasi është e keqja kryesore në ditët tona, jo vetëm për këtë patologji, por edhe për shumë të tjera”, apelon mjeku.

Latest articles

Related articles