Arena Casino, kazinoja që gjendet në Stadiumin Kombëtar, Air Albania, operohet nga kompania Space+.
Deri më sot aksionet e kësaj kazinoje janë zotëruar në masën 99 për qind nga kompania AlbStar e Ismailëve dhe 1 për qind nga një shoqëri e quajtur W-CZ Holdings s.r.o, e lidhur me Bledar Sinanin dhe Johannes Weissengruber, ky i fundit një biznesmen i njohur në industrinë e lojrave të fatit, me bazë në Vienë, ku zotëron kompaninë Apex Gaming.
Por nga sot kazinoja nuk do të jetë më në këto duar.
Një kompani guackë e regjistruar në Wyoming të Shteteve të Bashkuara do të jetë pronarja e re e Arena Casino.
Transaksioni është njoftuar nga Autoriteti i Konkurrencës përmes një njoftimi zyrtar, ndërkohë që anonimati i blerësit ngre pikëpyetje të mëdha mbi rolin e Autoritetit të Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit në miratimin e shitjes.
“Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 722 prot. i AK, datë 13.08.2025 “Konfirmim i Depozitimit të Dokumenteve”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi hyrjen e shoqërisë GLG INVESTMENT SHPK tek shoqëria target Space+ SHA nëpërmjet përvetësimit të kuotave të zotëruara nga shoqëria ALB – STAR SHPK, të cilat përfaqësojnë 99% të kapitalit aksionar,” thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
GLG Investiment është një shoqëri e themeluar nga Gerti Lumani, një shtetas shqiptar që jeton në SHBA, në mars të vitit të kaluar


