Rritja e biletës në linjën Kamëz–Tiranë, e cila nga 40 u bë 50 lekë dhe abnonetë mujore nga 1200 lekë në 1400 lekë, po rezulton të jetë produkt i një konflikti flagrant interesi midis vendimmarrësve dhe përfituesve të drejtpërdrejtë. Dokumentet e siguruara nga VNA tregojnë se persona që kanë kërkuar, mbështetur dhe votuar rritjen e çmimit, janë të njëjtët që mbajnë pozicione drejtuese në kompaninë që përfiton prej saj, “Shpresa. al”.
Rritja e tarifës, që prek linjat Kamëz–Tiranë, Paskuqan–Tiranë dhe disa linja të tjera brenda territorit të bashkisë, është propozuar nga Dashnor Memaj, kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës. Ky i fundit e ka justifikuar publikisht shtrenjtimin duke deklaruar se ishte “i domosdoshëm për të mbuluar kostot e mirëmbajtjes dhe karburantit, në mungesë të subvencioneve shtetërore”.

Dashnor Memaj
Por të dhënat tregojnë se Memaj ka më shumë sesa një rol përfaqësues në këtë histori. Sipas informacioneve të siguruara nga VNA dhe të dhënave të vetë publikuara prej tij në “LinkedIn”, Memaj rezulton drejtor i kompanisë “Shpresa. al”, subjektit privat që menaxhon pikërisht linjat ku u rrit çmimi.

Pra, kërkesa për shtrenjtimin mbërrin nga një drejtues i kompanisë që përfiton financiarisht prej saj.
Konflikti i interesit nuk mbaron këtu. Edhe në Këshillin Bashkiak Kamëz që miratoi rritjen e çmimit, rezulton se disa këshilltarë janë po ashtu pjesë e strukturës drejtuese të “Shpresa. al”. Konkretisht, këshilltari demokrat Bardhok Osmani, i cili votoi pro vendimit, është administrator zyrtar i kompanisë. Votë që shkon drejtpërdrejt në favor të subjektit që ai vetë administron.


Ajo që e rëndon edhe më shumë situatën është fakti se mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila fillimisht ishte publikuar në faqen zyrtare në Facebook, është fshirë pas marrjes së vëmendjes publike. Një veprim që ngre më shumë dyshime mbi transparencën e procesit.

Foto nga mbledhja e Këshillit Bashkiak
Përveç Osmanit, edhe këshilltarë të tjerë të PD-së, Shkëlqim Kosiqi nënkryetar i Këshillit, Enver Buçi dhe Preng Marku, kanë votuar pro rritjes së çmimit, duke e bërë opozitën pjesë të një vendimmarrjeje që ka shkelur hapur interesin e qytetarëve që përfaqëson.

Ndërkohë, qytetarët e Kamzës kanë reaguar me protesta dhe pakënaqësi, duke e cilësuar vendimin si një barrë të padrejtë ekonomike.
Kjo situatë kërkon hetim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë, pasi ka shumë qartë është në shkelje të parimeve të konfliktit të interesit, mungesës së transparencës dhe përfitimit të paligjshëm në kurriz të qytetarëve


