Mesazhe në Signal – Si e kontrolloi tenderin 189 milion euro Belinda Balluku

spot_img
Advertisements

Nga Dorian Kodra

Nëse kemi parë deri tani që dosjet e nxehta të SPAK-ut mbështeteshin kryesisht në dyshime, rrethana kompromentuese apo lexime të ftohta dokumentesh, çështja e tunelit të Llogarasë sjell në tavolinë prova të dorës së parë. Përgjimet që lidhen me zv.kryeministren Belinda Balluku janë të drejtpërdrejta: mesazhe që e vendosin atë në rolin e një zyrtareje protagoniste, e cila kontrollon, udhëzon, orienton dhe miraton çdo hap të një tenderi publik me vlerë të deklaruar 189 milionë euro.

Ky dimension u bë i mundur nga një telefon “BlackBerry”, në pronësi të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, për vite njeriu më i afërt i Ballukut në zbatimin e projekteve rrugore. Besimi, duket, ka qenë i njëanshëm. Në pajisjen e sekuestruar nga prokurorët më 26 shtator 2024 u gjet një arkiv i plotë bisedash të periudhës së tenderimit; mbi të gjitha, hetuesit konstatuan se, nga mosbesimi ndaj ish-shefes, Berberi kishte transferuar si foto një pjesë të komunikimeve në telefonin e bashkëshortes, duke ruajtur kështu një kopje “rezervë” që sot e vendos znj. Balluku në bankën e të pandehurve.

Këto mesazhe, të ruajtura në “Signal Private Messenger”, janë themeli provues i akuzës për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike”, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë dhe ARRSH-së. Siç shënon prokurori Dritan Prençi: “Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, në fazën përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës dhe deri në momentin e shpalljes së fituesit, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë ‘Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti. & Asl Insaat Taahhut Ve San. Tic. Ltd. Sti’”.

Në këtë dosje, rrëfimi shpaloset në katër akte të qarta: 1) anulimi i tenderit të parë; 2) rihapja e procedurës; 3) takimet dhe komunikimet me kompanitë turke që do të fitonin; dhe 4) shpallja e fituesit, pavarësisht se nuk plotësoheshin kushtet ligjore. Belinda Balluku është kudo.

Mesazhet e Ballukut për anulimin e tenderit të parë

Në tenderin e parë komunikimet mes Ballukut dhe Berberit tregojnë një kthesë të menjëhershme saj për garën që po zhvillohej nga disa kompani private. Ministrja shpreh një hezitim të papritur dhe kërkon ta ndalë garën. “Kam atë ndjesinë time që nuk duhet”, i shkruan ajo ish-vartësit. Më pas, bëhet ultimative: “Mendoj ta anulojmë. Skualifikoi të gjithë”.

Berberi nuk humb kohë as duke pyetur për pasoja ligjore, as duke kërkuar mbështetje procedurale: “E ke të frikshme ndjesinë”, ia kthen, dhe nis menjëherë hapat për anulim. Të nesërmen, ministrja ngul këmbë edhe më fort: “Po si ke lajmeruar te tjeret per anullim? Mbylleni sot me urgjencë”. Përgjigjja e Berberit është e prerë: “E mbyllem. Sot e ke të mbaruar”.

Këto shkëmbime e provojnë se procedurat dirigjoheshin drejtpërdrejt nga Belinda Balluku deri në imtësi. Siç shpjegohet në dosjen e SPAK, asnjë nga kompanitë nuk e fiton garën dhe të gjitha skualifikohen siç kishte urdhëruar ministrja.

Organizimi i tenderit të dytë për tunelin e Llogarasë 

Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2021, hapet tenderi i ri me të njëjtin objekt, por me parametra të riformatuar dhe me një pritshmëri të qartë mbi fituesin e preferuar. Më 23 maj, Balluku kërkon me nxitim hapjen e garës së re: “Kur do ta hapësh Llogarasën se plasa” i shkruan Berberit i cili i shpjegon se po pritet miratimi i dokumenteve nga vartësja.

Balluku në këtë periudhë duket se ka marrë një detyrë jo dhe aq të lehtë për të realizuar një tender të trukuar. I duhen përreth njerëz besnikë. Për ta “karikuar” Evis Berberin dhe njëkohësisht për të konsoliduar kontrollin mbi procesin, ministrja e shpërblen atë me postin kyç në ARRSH. Më 28 maj, toni i saj bëhet personal dhe udhëzues.

Balluku i shkruan: “I dashur Visi, marrëdhënia jonë ka kaluar ups and doëns shumë herë, por e rëndësishme është që unë ty të konsideroj një nga personat më të afërt… Hermetik, asnjë takim, asnjë premtim, të jesh prezent në çdo kantier, të mos marrësh vendime pa konsultim. Mos më zhgënje! Ta gëzosh, sapo e more emërimin!”

Tri ditë më pas, më 31 maj 2021, Berberi emërohet drejtor i përgjithshëm i ARRSH-së. Për SPAK, kjo përputhje datash tregon qartë se drejtimi i ARRSH-së nga një njeri “i bindur” ishte pjesë e zinxhirit të kontrollit mbi tenderin.

Negociatat në prapaskenë me turqit

Në vijim, komunikimet dëshmojnë takime dhe koordinime me përfaqësuesit e kompanive turke që, sipas hetimit, ishin të paracaktuara për të fituar garën. Më 20 gusht, Evis Berberi shkruan me Arta Gurabardhin (punonjëse e MIE): “Visi hajde t’i takojmë bashkë se kështu tha shefja”, për të mos marrë mbi vete, e vetme, një takim që e vë administratën në konflikt të pastër interesi.

Verifikimi në TIMS e përforcon këtë linjë: inxhinieri turk Ayhan Altun, përfaqësues i “Intekar Yapi”, ka hyrë në Shqipëri më 18 gusht dhe ka dalë më 21 gusht, pikërisht gjatë periudhës së takimeve.

Gjatë së njëjtës periudhë, në telefonin e Berberit gjendet edhe një mesazh në anglisht, i dërguar nga Belinda Balluku. Ky mesazh vlen për të treguar se veç drejtorit të ARRSH, në komunikimin direkt me turqit ishte edhe vetë Belinda Balluku, së cilës i janë shpjeguar edhe “referencat” politike të kompanive: “Ne kemi krijuar një bashkim shoqërish (joint venture) duke marrë me vete shoqërinë ASL INS.TAAH.VE SAN.TIC.LTD.STI. me ne. Kjo është një shoqëri që ka ndërtuar një tunel autostrade 2×14 km në Turqi, dhe është gjithashtu një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë”.

Ndërkohë në Tiranë, Balluku vijon të shtyjë përpara takimet operative: “Fole me Artën? Turqi gjëkundi… Nesër në 11 takim. Dhe aktivizojmë atë që takuam të premten”, i shkruan ajo Berberit, duke e shtyrë që të lëvizë me shpejtësi me inxhinierët e kompanisë së parapëlqyer.

Tenderi që u dhuroi turqve dhjetëra miliona euro

Në shtator 2021, gara hyn në fazën e mbylljes. Edhe këtu, ministrja kontrollon ritmin dhe shifrat që u propozuan nga të gjitha kompanitë. Më 7 shtator, Berberi i dërgon fotografitë nga dokumentat e tenderit; Balluku pyet: “Po ofertat?”. Berberi liston: “Kinezi 185.754.927 milion euro, Limak 18.690.597.185, Albania Glob Affaire 18 miliardë, Inter 17 miliardë, Albbuilding 15.848.808.298.”

Reagimi i Ballukut është i menjëhershëm: “Qenkemi shkelqyer me pak fjalë.” Pak çaste më pas, Berberi thekson: “I pari me të dytin 10 milion euro diferencë super fare përmbledhje”, dhe ministrja vulos: “Sigurisht ka hyrë skandal poshtë, por nuk plotëson kushtet sigurisht”.

Vetëm se SPAK, pasi ka parë dokumentat ka dalë në përfundimin se situata nuk ishte “e shkëlqyer”.

Rezulton se konsorciumi turk “Intekar–ASL”, që u shpall fitues i tenderit për tunelin e Llogarasë nuk plotësonte asnjë nga kriteret thelbësore ligjore dhe teknike, pasi nuk kishte dorëzuar dokumente që provonte se kapitalet nuk ishin nën përmbarim, nuk kishte përkthime të certifikuara në shqip, nuk kishte dëshmi për ndërtim ure mbi 120 metra, kishte paraqitur certifikata ISO të pavlefshme dhe nuk kishte dokumentuar kontratat e punës për 250 punonjës aktivë, duke e bërë kështu shpalljen e tij fitues një shkelje të hapur të ligjit të prokurimeve publike.

Duke parë përfshirjen e zv.kryeministres Belinda Balluku në çdo hap të procedurave, qëndrimi i prokurorit është i prerë: “Nga aktet e administruara rezulton se operatori ekonomik ‘Intekar–ASL’ është shpallur fitues në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit. Kjo ka ndodhur në sajë të veprimeve të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.”

Dhe në pasazhin vijues përcaktohet natyra e akuzës: “Shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, në bashkëpunim.”

Dosja e tunelit të Llogarasë është një ndër të paktat ku përfshirja e një ministreje provohet përmes komunikimeve të drejtpërdrejta, të ruajtura, të datuara dhe të verifikueshme teknikisht. Nuk ka dëshmi apo interpretime, por një zinxhir mesazhesh që e ndjekin vendimmarrjen nga fillimi deri në fund.

Telefoni Blackberry i një vartësi që nuk i besonte më shefes së tij është bërë dëshmia më e rëndë që drejtësia shqiptare ka pasur ndonjëherë në duar ndaj një anëtareje të kabinetit qeveritar në detyrë. Belinda Balluku është marrë e pandehur në gjendje të lirë, ndërsa hetimet thotë SPAK, ende vijojnë.

Latest articles

Related articles