Në Shqipërinë e sotme, ku demokracia është kthyer në reality show dhe fushata në stand-up politik, Edi Rama ka shpikur një mënyrë të re për të matur besnikërinë: pyet kandidatët e tij “Me sa thellë do fitoni?” — një fjali që përbën përkufizimin perfekt të cinizmit të pushtetit.
Në fakt, kjo s’është pyetje. Është një test nënshtrimi. Njësoj si në atë skeç legjendar të Skënder Sallakut, ku trajneri i komunizmit pyeste lojtarët përpara ndeshjes: “Sa gola do bësh sot, shoku?” Dhe lojtari, me buzëqeshjen e frikësuar, përgjigjej: “katër gola ” sepse në atë kohë, edhe rezultati i ndeshjes duhej miratuar nga Partia.
Sot, pas dekadash pluralizëm, Rama ka ringjallur të njëjtin skenar, por me ngjyra moderne. Ai s’ka nevojë për Partinë e Punës, e ka zëvendësuar me një parti që punon vetëm për të. S’ka nevojë për Byro Politike, i mjafton një grup kandidatësh që, me frikën për të humbur vendin në listën e ekipit të tij , e shikojnë si profet, si trajner dhe si pronar të stadiumit.
Kur pyet “Me sa thellë do fitoni?”, Rama nuk kërkon mendim politik, as guxim qytetar. Ai kërkon adhurim. Në vend që të flasë për program, ekonomi, varfëri apo korrupsion, ai bën humor me fitoren që e ka shpallur paraprakisht. Një fitore që s’është më triumf demokratik, por garë me vetveten , si një ndeshje ku luan vetëm një skuadër dhe publiku paguan për ta parë të njëjtin rezultat çdo katër vjet.
Ironia është se Rama tallet me gjithçka me opozitën, me gazetarët, me qytetarët që mezi mbajnë frymën dhe askush nuk guxon t’i thotë: “Kryeministër, ndoshta këtë herë s’duhet të ketë fitues, por lojë të ndershme, sepse në sistemin e tij, loja ndershme është humbje.
Në anën tjetër, Sali Berisha duket si i ngrirë momentalisht, përmendet si kujtesë e një epoke që ka mbaruar. Dikur premtoi rrëzim, sot mezi mbahet në këmbë mes rrënojave të partisë që dikur drejtonte me dinamizëm, por sot nuk ka më bateri morale . Rama nuk e sheh më as si rrezik — për të, Berisha është publiku që nuk del dot më në fushë.
Ndaj pyetja e tij mbetet po ajo, çdo fushatë, çdo mandat, çdo konferencë: “Me sa thellë do fitoni?”
Çdo herë që e thotë, Shqipëria buzëqesh me sarkazëm. Sepse e di se nuk po pyet për zgjedhjet, por po shpall rezultatin.
Në fund, nuk është më politikë, është skeç. Një farsë moderne ku rolin e Skënder Sallakut e luan vetë kryeministri — me të vetmen diferencë që atëherë humori ishte kundër sistemit, ndërsa sot, është vetë sistemi që bën humor me ne.


