nga Dashnor Kokonozi
Jean-Arnault Dérens, është një nga njohësit më të mirë frankofonë të Ballkanit dhe Shqipërisë. Ndryshe nga miku im i dikurshëm Carlo Bolino, i cili ishte gjithashtu një njohës i shkëlqyer i Shqipërisë dhe kontribuoi në modernizimin e gazetarisë shqiptare, por që me kohë pati paqartësi në ekulibrin e vështirë të paanshmërisë, Jean-Arnault Dérens ka ruajtur qartësinë dhe baraslargësinë në misionin e tij si historian dhe gazetar.
Kjo e bën atë shembullin e rafinuar të intelektualit francez, me të cilin mund të bisedosh gjatë, por është e vështirë të kuptosh opinionin e tij personal. Ky opinion, natyrisht, ekziston, por nuk ndërhyn kurrë në profesionalizmin e tij.
Pasi fitoi agregacionin si historian, Jean-Arnault Dérens pati për disa kohë një përvojë mësimdhënieje në nivel universitar në Francë, derisa në fund të viteve ’80 u njoh me Ballkanin dhe u angazhua në aksione solidariteti në vendet që dolën nga ish-Jugosllavia.
Në Cetinje të Malit të Zi, ku u vendos, ai themeloi në vitin 1998 “Courrier des Balkans”, një faqe frankofone që sot cilësohet si referencë për studiuesit, historianët, diplomatët, gazetarët dhe të gjithë ata që janë të interesuar të kuptojnë dinamikën e kësaj pjese disi të trazuar të Evropës.
Dérens është autor i disa librave. Këtë vit ai botoi “La géopolitique de l’orthodoxie”, një ese historiko-gjeopolitike që eksploron lidhjet komplekse midis Kishës Ortodokse dhe pushteteve politike.
Analiza e tij shtrihet nga Perandoria Bizantine deri te lufta në Ukrainë. Ai rrëzon klishetë e një ortodoksie monolitike, luftënxitëse dhe ultrakonservatore. Përkundrazi, paraqet një fe të shumëllojshme, shpesh në dialog me islamin, por gjithashtu të instrumentalizuar nga nacionalizmat, veçanërisht në Serbi dhe Rusi.
Siç është e kuptueshme, ai analizon edhe përçarjet e brendshme të botës ortodokse, të cilat u përkeqësuan nga agresioni barbar rus kundër Ukrainës.
Fillimisht, vendosa ta lexoj i shtyrë nga imazhi famëkeq i patriarkut Kirill në kopertinë, por analiza e autorit rezultoi tejet e saktë. Patriarku Kirill është dikush që bekon armët dhe në një farë mënyre ilustron afërsinë problematike midis fesë dhe pushtetit.
Ky është vërtet një libër që ofron një lexim të nuancuar të ortodoksisë, larg stereotipeve perëndimore. Erudicioni që e shquan nuk është thjesht rezultat i leximit të teksteve të vjetra, por edhe rezultat i njohjes së thellë të terrenit për të cilin shkruan.
Chapeau bas, M. Dérens!



