Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për median ndërkombëtare Al Jazeera se Rusia nuk përbën kërcënim ushtarak për Shqipërinë, falë pranisë dhe garancive të NATO-s.
“Rusia nuk do ta sulmojë Shqipërinë dhe asnjë vend tjetër europian. NATO është e përgatitur për çdo lloj agresioni dhe nuk ka askënd për t’u frikësuar, sepse është ushtria më e fortë në botë,” tha Rama, duke nënvizuar se siguria e rajonit mbështetet plotësisht te aleanca perëndimore.
Sipas tij, Bashkimi Europian po përballet çdo ditë me provokime nga Rusia, veçanërisht vendet që ndodhen pranë kufijve të saj lindorë, ndërsa theksoi se mungesa e një plani paqeje nga BE-ja është “e çuditshme”.
Në një mesazh që përfshin edhe simbolikën kombëtare, Rama shtoi:
“Unë jam shqiptar. Nuk kemi frikë. Nuk ka vend për armiqësi ruse në Shqipëri, sepse nuk ka simpati për Rusinë.”
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment tensioni të shtuar mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s, teksa Europa po përgatitet për çdo skenar të mundshëm në frontin lindor.


