2 mln € në tavolinë, Berberi i çoi foto Ballukut, dalin mesazhet për tunelin

spot_img
Advertisements

Janë zbardhur detaje të reja nga dosja penale Nr.136 ku tashmë veç zv/kryeministres së Shqipërisë Belinda Balluku, të pandehur janë marrë dhe 5 zyrtarë të tjerë të ministrisë si Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica.

Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se çështja kundër 6 personave të mësipërm ka rrjedhur si derivat i hapjes së 4 aparateve telefonike të Evi Berberit, që aktualisht është arrestuar dhe ndodhet në burg.

Sipas informacioneve të siguruara zv/kryeministria njëherësh Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku, ka dalë pikërisht në njërin nga telefonat e sekuestruar Evis Berberi, duke folur me këtë të fundit dhe urdhëruar atë për ndryshimin e listës së renditjes së fituesve.

Urdhërat janë dhënë në telefon nga Balluku. Ndërsa pjesa poshtë e zyrtarëve duke filluar nga ish-drejtori i ARRSH-së dhe në vijim nga Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë zbatuar urdhërin në mënyrë kronologjike dhe unisong me njëri-tjetrin, duke çuar deri në fund porosinë e dhënë nga Balluku.

Përmes disa bisedave të nxjera nga telefonat e sekuestruar të Berberit, Balluku, njoftohet nga Evis Berberi, i cili i dërgon në aplikacionin “Whats app” një dokument.

Në dukje shihet se përmbajtja e dokumentit flet për renditjen e kompanive që kishin garuar në tenderin 2 milion euro të hapur nga ministria e Infrastrukturës lidhur me supervizimin e punimeve që po kryheshin në tunelin e Llogarasë.

Balluku menjëherë sapo njihet me renditjen, fillon të shkembejë mesazhe me Evis Berberin duke e orientuar dhe urdhëruar këtë të fundit të anulojë praktikën e prokurimit dhe rihapjen sërisht me qëllim ndryshimin e renditjes së kompanive fituese.

Pavarësisht se me ligj titullari i institucionit e ka të ndaluar të merret me procedurat tenderuese dhe ankande, në fakt në shumë raste ministrat janë shumë aktive në prapaskenë duke lëvizur të gjitha gurët e pazarit se kush duhet të fitojë tenderin dhe kush duhet të humbasë.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Ballukun, e cila ka “tribluar” në prapaskenë duke urdhëruar vartësit e saj tek ministria dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, që të kryenin çdo lloj manovër të mundshme me qëllim që tenderin ta fitonte pikërisht kompania shqiptare “Net Group” dhe firma holandeze “Hill Internacinal”.

Por deri në shpalljen e fituesit të këtij tenderi, protagonistët janë kujdesur që ta anulonin dy herë praktikën e prokurimit.

Për herë të 3-të, ky tender është hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në 1 dhjetor 2021, ku më pas në muajin Mars 2022, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, do të shpallte fituesin e kontratës me vlerë 196 milionë lekë ose gati 2 milionë euro.

Në tender do të merrte pjesë bashkimi i kompanive “Stucky L.T.D” me pronar të huaj dhe “Gjeokonsult & CO”, në pronësi të Xhevahir Mustafaj.

Këta do të garonin me bashkimin e kompanive “Hill International N.V” në pronësi të një shtetasi Hollandez por me administrator grekun, Ioannis Kirkinezis dhe “Net-Group” në pronësi të Valter Begaj, mik i ngushtë i Ervis Berberit.

Dyshimet e para për favorizim fituesi u shfaqën kur kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult& CO” u skualifikuan, pasi nuk plotësonin një nga kushtet e kërkuara në tender pasi “Stucky” nuk ishte e regjistruar në QKB, duke i lënë rrugën e lirë “Hill Internacional N.V” dhe “Net-Group”, të cilat në Mars 2022 do të shpalleshin fitues me ofertë 194 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro.

Kohëzgjatja e kontratës ishte planifikuar të zgjaste 34 muaj sipas kontratës së zbatimit të punimeve në ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

Në dobi të këtij hetimi në muajin Prill 2025, prokurori Dritan Prençi, ka kërkuar në ARRSH-ë tërheqjen e dokumenteve që lidhen me praktikën e prokurimit që bën fjalë për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë në seksionin rrugor “Orikum-Himarë” pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë).

Prokurorët e posaçëm duke u bazuar dhe nga të dhënat e përftuara nga mesazhet telefonike mes Berberit dhe Ballukut, kanë arritur në përfundimin se fituesit “Hill Internacional” dhe “Net Group” janë paracaktuar dhe kompanitë e tjera, janë skualifikuar qëllimisht, për shkak të lidhjes mes Berberit, Ervis Lamit, mikut të tyre Valter Begaj dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku./Nga Elton Qyno

Latest articles

Related articles