Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 30 tetor një rezolutë me 13 rekomandime për Bankën e Shqipërisë dhe tre për Këshillin e Ministrave, duke vënë theksin te kontrolli mbi ndërhyrjet në tregun valutor, mbikëqyrja e bankave që kreditojnë bizneset e pronarëve të tyre dhe mbrojtja e konsumatorëve nga praktikat abuzuese në kreditim.
Rezoluta kërkon që Banka e Shqipërisë të ruajë pavarësinë institucionale, por të tregojë kujdes ndaj ndërhyrjeve në kursin e këmbimit, duke i kufizuar ato vetëm në raste të justifikuara nga tregu.
Po ashtu, Kuvendi kërkon forcimin e mbikëqyrjes ndaj bankave që kanë ekspozim të lartë ndaj kredimarrësve të mëdhenj dhe të diversifikojnë portofolin e kredive për të shmangur rreziqet e përqendrimit në sektorë të caktuar, si ndërtimi.
Në dokument theksohet nevoja për monitorim më të rreptë të institucioneve jobankare dhe zyrave të këmbimit valutor, si dhe për përditësimin e kuadrit ligjor që lidhet me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Një tjetër rekomandim i rëndësishëm lidhet me integrimin e rreziqeve klimatike në sistemin financiar, përmes kërkesës që bankat të raportojnë ekspozimet e tyre dhe të përfshijnë analiza mbi ndikimet e mundshme të tranzicionit klimatik.
Kuvendi i kërkon gjithashtu qeverisë që të përgatisë ndryshime ligjore për vendosjen e tavaneve mbi normat e interesit dhe penalitetet për kreditë konsumatore, të përcaktojë me ligj normat e kamatës dhe penalitetet për vonesat në pagesa, si dhe të forcojë mbrojtjen ligjore të konsumatorëve gjatë procedurave përmbarimore.
Rezoluta thekson bashkëpunimin e nevojshëm ndërinstitucional për parandalimin e dezinformimit financiar dhe për forcimin e stabilitetit të sistemit bankar, si një element kyç i sigurisë ekonomike dhe kombëtare.


