Kolesteroli i lartë, LDL (kolesteroli i keq) është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Kardiologia Jorida Diamanti, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, theksoi rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të niveleve të kolesterolit në gjak për të parandaluar probleme të mëtejshme shëndetësore.
Ajo shpjegoi se kolesteroli është një substancë thelbësore për trupin, pasi është pjesë e membranës së qelizave dhe ka funksione të tjera të rëndësishme.
Megjithatë, kur niveli i kolesterolit është tepër i lartë, ai depozitohet në muret e enëve të gjakut, duke formuar pllaka arteroskleroze që mund të çojnë në bllokimin e enëve të gjakut dhe të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore, duke përfshirë infarkte dhe goditje në tru.
Kardiologia Diamanti theksoi se është shumë e rëndësishme që të bëhen teste të rregullta për kolesterolin dhe të përcaktohet niveli i tij në gjak.
“Kolesteroli nuk është sëmundje në vetvete por është një substancë që është e domosdoshme për trupin, kur është në masën e duhur sepse pjesë e membranës së qelizave tona. Por kur është më tepër se sa duhet ai depozitohet në enët e gjakut dhe formohen pllakat arteroskleroze. Këto pllaka fillojnë herët që në moshë të re por depozitimiështë shumë i ngadaltë dhe ne nuk e vëmë e re. E para duhet filluar të bëhen teste për kolesterolin për të parë nivelin e tij. Për uljen e vlerave të tij ndryshimi vjen me zakonet e të ushqyerit, një dietë ushqimore, e varfër me yndyra shtazore, mos përdorimi i mishit të kuq, ushqimet e përpunuara. Rekomandohet të bëni aktivitet fizik të kenë një stil jete të shëndetshëm”, tha kardiologia.
Ajo theksoi se trajtimi i kolesterolit të lartë kërkon kurim të personalizuar, duke u bazuar në faktorët e rrezikut dhe gjendjen shëndetësore të pacientit. Ulja e niveleve të kolesterolit të keq është një hap i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
“Në varësi të vlerave të kolesterolit, në varësi të moshës, simptomave shoqëruese që mund të ketë pacienti apo sëmundjeve shoqëruese, ne e stadifikojmë pacientin dhe përcaktojmë riskun e sëmundjeve kardiovaskulare. Në varësi të këtij risku, shihet se sa duhet ulur kolesteroli i keq. Kolesteroli i mirë është ai që merr kolesterolin nga gjaku dhe e çon në mëlçi, kurse i keq është ai që është përgjegjës për prodhimin e pllakave arteroskleroze”, tha ajo



