“Barazia gjinore” si “Kalë Troje” për imponimin e identiteteve gjinore

spot_img
Advertisements

Nga Rezarta Çaushaj

Para disa ditësh u ula të studiojë me detaje projektligjin “Për barazinë gjinore”, pasi isha njohur me copëza të tij përmes lajmeve.

(Në komentin e parë gjeni Relacionin, Projektligjin dhe dokumentet shoqëruese)

Gjithashtu, media të cilai i ndjek e u kam zakonisht shumë respekt dolën me artikujt se si pretendimet e disa palëve se ligji ndryshonte përkufizimin e gjinisë e legjitimonte identitete gjinore si transgjinoret ishin TË RREME.

Fillimisht, kam konstatuar se këto artikuj ishin të rremë. Më keq, ishin TË PANDERSHËM!

Nëse ka palë apo persona, të cilët përqafojnë qasjet ultra-majtiste mbi gjininë e shkëputur nga biologjia, kjo është e drejta e tyre.

Jemi/aspirojmë të jemi demokraci dhe kjo qasja e tyre do të përplaset me qasjen tradicionale se njeriu jeton i kufizuar nga realiteti (toka, familja, biologjia etj.), jo në imagjinatën e vet, paçka se askush nuk pengohet të jetojë si të dojë.

Por, këto palë (Citizen, Birn, UNWOMEN, Arqimandriti, Karaj, Hazizaj etj.) duhet të jenë të NDERSHME në qëndrimet e tyre.

Të jenë të hapur, të pranojnë pozicionin e tyre, ta argumentojnë, të përpiqen të marrin miratimin e njerëzve dhe…fitoftë më i miri! Jo duke shfrytëzuar autoritetin e institucioneve ku punojnë për të minuar kundërshtarët. Kjo është demokracia!

Pse po e mbaj këtë qëndrim, paçka respektit që kam – ku më shumë, ku më pak – për disa prej tyre?!

Sepse projektligji ka bërë shumë më tepër se të prezantojë një koncept “gjithëpërfshirës” për gjininë, ai ka shkuar shumë më tej seç po flitet aktualisht në media.

Në Relacion as janë përpjekur të shpjegojnë se çfarë problemesh ka ligji i vjetër, që i rregullon ligji i ri – që është baza e amendimit të çdo ligji ekzistues.

1. Ky ligj të detyron ta njohësh “de facto” gjininë si shprehje identiteti seksual e “gjinor”, duke e konsideruar mosnjohjen e mospërqafimin si DISKRIMINIM, përmes vendosjes së penaliteteve (lexoni relacionin në foton 1 – diskriminim i shumëfishtë ndërsektorial për shkak të identitetit seksual)

Ku është keqkuptimi këtu?! Ku është keqinterpretimi?!

2. Legjislacioni për barazinë gjinore qysh në gjenezë është konceptuar si një politikë afirmative për promovimin e të drejtave të grave, që atyre t’u garantohet një pozitë juridike e njëjtë me burrat.

Neni 1, pika 2.

“Ky ligj rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore plotësisht dhe në mënyrë efektive, ligjërisht dhe në praktikë, si dhe trajtimit të barabartë, pavarësisht përkatësisë gjinore, përmes mbrojtjes, mundësive të barabarta për ushtrimin e të drejtave dhe gëzimin e të mirave dhe shërbimeve, pjesëmarrjes, përfaqësimit dhe ndihmesës në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.”

Në momentin që ke ndryshuar konceptin e “përkatësisë gjinore” te seksioni “Përkufizime” barazia që kërkohet nuk është vetëm mes burrave dhe grave.

Shkurt puna, tani gratë duhet të luftojnë për hapsira ligjore edhe me burrat në gjithë diversitetin e tyre gjinor, veç burrave biologjik.

Neni 2 (shih foto2) parashtron se a. qëllimi i ligjit është mbrojta nga diskriminimi gjinor dhe pabarazitë gjinore “për shkak të përkatësisë së shumëfishtë” dhe b. përcakton fushën e veprimtarisë së ligjit, masat e përgjithshme e të veçanta, të bazuara në “nevojat dhe prioritetet e ndryshme gjinore”

Të jemi të sigurtë që ky ligji, pavarësisht instrumentalizimit esnaf të gjuhës, nuk e ka fjalën për masa që përmbushin nevojat e burrave biologjik. Në fakt, nëse i referohemi përvojës së vendeve që kanë adoptuar me ligj këtë qasje, as për nevojat e grave biologjike.

3. Përkufizimet (lexoni nenin 4): Dihet që themeli i çdo ligji janë përkufizimet dhe një ligj nuk mund ta përcaktojë gjininë si mollë, teksa një tjetër thotë është patate. Ligji përcakton konkretisht se për çfarë po flasim kur themi gjini e përkatësi gjinore.

Këto të dyja janë përcaktimet më problematike e thelbi i konflikteve jo vetëm në vendin tonë, por kudo ku shtrohet debati.

Dhe ligji në fjalë bën një operacion mjeshtëror duke ndarë një koncept në tre të tjerë:

Nga gjinia e përcaktuar në bazë të biologjisë, ku gjinia dhe përkatësia gjinore nuk kanë diferenca, në disa përkufizime mish-mash, ku veç gjinisë, ke edhe përkatësi gjinore, por edhe përkatësi gjinore të shumëfishtë sepse njerëzit me AK, të moshuarit, emigrantët, njerëzit e varfër meritojnë kategori gjinore më vete.

Në mënyrë absolute koncepti nuk është sajuar për të nënkuptuar personat që nuk janë asnjë më sipër, por identifikohen në bazë të orientimit seksual apo si seksi i kundërt, ose nuk duan fare të identifikohen me asnjë gjini, ose duan të dyja, ose duan kategori të personalizuara.

Jo! Nuk është ai halli! – bërtasin këta profesionistë të pandershëm.  

Ligji, paradoksalisht, nuk jep përcaktim për identitetin gjinor, paçka se e përdor këtë koncept disa herë në tekst, madje në nene që caktojnë penalitete.

Për shembull…

4. Neni 6: Përcakton se “diskriminim për shkak të gjinisë është trajtimi më pak i favorshëm i një personi për shkak të gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, shprehjes së identitetit gjinor apo karakteristikave të seksit…” përkundër trajtinit të gjinive të tjera në të njëjtat kushte.

Kjo është armë në dorën e cilitdo personi me “përkatësi të shumëfishtë” që ngelet i pakënaqur që nuk u mor në punë dhe sërish DE FACTO eleminon lirinë ekonomike dhe të besimit të individit.

Kjo përforcohet nga neni 10 “Përdorimi i gjuhës me ndjeshmëri gjinore e gjithëpërfshirëse”, e cila DE FACTO imponon përqafimin e përkufizimeve të reja mbi gjininë. Ajo MANDATOHET të përdoret jo vetëm nga institucionet publike, por edhe ato PRIVATE, përndryshe quhet diskriminim.

Gjuha me ndjeshmëri për cilëndo kategori shoqërore NUK MUND të imponohet, ajo duhet të frymëzohet.

Jam nëna e një fëmije me autizëm dhe organizatat e aftësisë së kufizuar flasin për gjuhë të ndjeshme, por po flasim për përqafimin e një kulture të foluri me respekt, jo të përdorimin tehun e shpatës së ligjit.

A imagjinoni se ky nen është formuluar duke patur gratë në mendje?! Jo!

5. Në nenin 3 praktikisht thuhet se barra e provës në rast akuzash për diskriminim nuk bie mbi akuzuesin, por mbi të akuzuarin.

PASOJA MË E RËNDË për drejtësinë ende të brishtë shqiptare, në nenin 3, për të cilin as po flitet fare.

Nëse ti je një punëdhënës i vogël, që s’ka takat të merresh me gjyqe e avokatë, por akuzohesh se i mohon një vend pune një burri që do të njihet si grua apo anasjelltas, e hëngre!

Sigurisht, mbase ti je besimtar dhe sipas besimit tënd ka vetëm burra e gra biologjike dhe ligji ty të njeh e mbron lirinë e besimit.

6. Mohimi i lirisë së besimit!

Neni 25 DETYRON në mënyrë taksative punëdhënësin

ç)  të punësojë pa diferencim gjinor apo për shkak të përkatësisë së shumëfishtë në çdo pozicion ose vend të lirë në të gjitha nivelet e hierarkisë profesionale;

Ti je punëdhënës, por je mysliman, i krishterë a tjetër dhe të kërkon punë një transgjinor, ti refuzon…E HËNGRE PADINË!

Te ky nen pasqyrohet edhe padija legjislative e propozuesve, të cilët kanë futur te përkufizimi i përkatësisë së shumëfishtë, veç identitetit e orientimit seksual edhe variable të moshës.

Domethënë, shpalljet e eksperiencës së punës si kriter punësimi interpretohen si diskriminim për shkak të përkatësisë së shumëfishtë gjinore.

7. Konceptet ultra-majtiste mbi gjininë bëhen të detyrueshme të mësohen në shkolla!

Neni 33.1 DETYRON subjektet që hartojnë kurrikulat mësimore të të gjithë niveleve të përdorin konceptet ultra-majtiste mbi gjininë në hartimin e tyre.

Pika 1 e plotë: “Subjektet, që ofrojnë arsimim të përgjithshëm dhe profesional, kualifikim e trajnim, si dhe ata që hartojnë dhe miratojnë tekstet, programet dhe materialet e tjera mësimore, në të gjitha nivelet, sigurojnë përfshirjen e edukimit gjinor në kurrikulat shkollore dhe mësimdhënien e njohurive të nevojshme të koncepteve themelore që lidhen me individët dhe grupet dhe përdorin metoda mësimdhënieje, trajnimi e kualifikimi, në mënyrë të tillë që të ndihmojnë në promovimin, nxitjen dhe formimin e edukatës së barazisë dhe në ndalimin e diskriminimit me bazë gjinore, të stereotipave gjinore, paragjykimeve dhe praktikave të dëmshme zakonore, pabarazive gjinore për shkak të përkatësisë së shumëfishtë ose të do lloji tjetër që cenojnë parimet e barazisë gjinore.”

Pa patur asnjë debat real, propozuesit jo vetëm i bëjnë fakt e të detyrueshme pranimin e këtyre koncepteve mbi gjininë e seksualitetin ( gjithashtu mosnjohja ndërshkohet), por e bëjnë MBI TË GJITHA në mënyrë TË PANDERSHME, pa pranuar qëllimet e tyre, pa argumentuar pozicionin e tyre dhe duke u fshehur pas barazisë gjinore dhe grave.

Ky debat është shumë i nevojshëm sepse mungesa e tij sjell mungesë konsensusi në shoqëri, që sjell më tej përplasje sociale dhe shtypje të drejtash. Dhe në fund, vjen momenti kur ithtarët humbasin pushtetin politik, që e marrin kundërshtarët e këtyre ligjeve dhe që gjëja e parë që bëjnë është t’i hedhin në kosh.

Kjo është eksperienca që ofrojnë vendet më të emancipuara, degradimin, përplasjet dhe armiqësitë brenda të cilave po i ndjekim në real time.

Apo edhe këto përvoja i kemi keqkuptuar?!

PS: Të kuptohemi qartë, personalisht do të isha kundër propozimeve edhe nëse do të ishin bërë hapur, me etikë e integritet (e kam aq të drejtë!), POR me siguri do të kisha shumë më tepër respekt për propozuesit nëse ai do të ishte rasti.

Latest articles

Related articles