Stjuardesa shkodrane Antonela Gjeluci, personazh i njohur në rrjetet sociale dhe aktore humori ka qenë sot e ftuara e Andri Xhahut në emisionin “Në radio” që transmetohet në Radio Tirana 1.
Gjeluci tregon se rrugëtimi si stjuardesë, tani shefe ekuipazhi, nisi në vitin 2018, por zanafilla është që në fëmijëri. “Qysh fëmijë, netëve të verës rrija në tarracë dhe shikoja yjet. Kur shihja avionët që dukeshin si drita yjesh dhe linin gjurmën në qiell, gjithmonë më tërhiqte misteri se çfarë do jenë duke bërë njerëzit atje lart, çfarë po ndodh, ku po shkojnë? E kam pasur gjithmonë ëndërr.”
Një ëndërr e bërë realitet në fluturimin e parë drejt Italisë. “Ishte 27 maji i vitit 2018. Fluturimi i parë ka qenë për në Bergamo. Kam qenë jashtëzakonisht shumë e emocionuar. T’i thuash dikujt që po bëhesh stjuardesë sot që ka stjuardë pafund në Shqipëri, pasi është bërë si diçka komerciale, nuk është çudi. Por kur fillova unë ishim aq pak në numër sa të dukej që kishe prekur një ëndërr. Është kaq bukur të kujdesesh për pasagjerët, moment i nisjes së avionit, fillimi i shërbimeve, ndjekja e rregullave strikte të sigurisë. Nuk di ta shpjegoj.”
E pyetur nëse frika është shoqëruese e saj gjatë fluturimeve, Gjeluci shprehet se trajnimet intensive i kanë dhënë asaj siguri. “Ndonjëherë harroj të pi ujë, nuk ke kohë të mendosh për frikën.”
Për sa i përket turbulencave, stjuardesa qetëson duke thënë që ato nuk janë të rrezikshme. “Kur janë turbulenca të forta mund të hapen kompartimentet (hapësira e sipërme e vendosjes së valixheve), por nuk i ndodh asgjë avionit. Nuk ka fatalitet. Në të tilla raste më shumë dëgjon njerëz duke bërtitur sesa avionin duke u tundur. (qesh) Te pjesa e bishtit të avionit turbulencat ndihen më shumë sepse është në gjendje më të lirë.”
Ka pasur edhe raste kur është përballur me vështirësi gjatë një fluturimi, që lidhen kryesisht me gjendjen shëndetësore të pasagjerëve, më frikën ose ankthin. “Ka qenë një fluturim për në Stokholm, ishin dy pasagjerë, të cilëve një turbulencë shumë e fortë u shkaktoi atak paniku. Na u desh më shumë se një orë për t’i qetësuar. Pasi u ulëm kërkuam ekip mjekësor më të specializuar për t’i mbajtur nën kontroll.”
Një nga pyetjet e shpeshta është se përse duhet që telefonat të vendosen në modalitetin e avionit gjatë fluturimit. Stjuardesa shpjegon: “Valët e hapura të telefonave ndikojnë në frekuencë, sidomos në ditët me kohë jo të mirë kur nuk ka fushëpamje dhe avioni ulet me pilot automatik. Na vjen një telefonatë nga kapiteni që thotë se duhen kontrolluar pasagjerët që kanë telefonin hapur. Na ndodh që avioni është nisur, jemi disa metra në lartësi, dhe dëgjojmë pasagjerë që flasin në telefon: ‘Alo, jam nisur…’. U them që të fikin telefonin dhe më thonë: ‘Ja, sa ta mbaroj telefonatën…’”


