Analisti politik, Adri Nurellari, ka komentuar me tone ironike në studion e Quo Vadis procesin e reformës zgjedhore.
Ai e krahasoi reformën me dietat, që nisin me synimin për përmirësim, por përfundojnë me rezultat të kundërt.
Sipas tij, çdo reformë e deritanishme ka pasur si qëllim ruajtjen me çdo kusht të pushtetit nga partitë kryesore.
Nurellari: Kjo reforma zgjedhore më duket si dietat e mia. Domethënë, nis çdo vit, dhe pastaj përfundoj që ha më shumë se para se e nisa. E njëjta gjë mbetet. Nisin këtë gjoja me e ndreq, po e gatuajnë më keq se ç’ka qenë. Në fakt, çdo lloj reforme është një përpjekje për të mbajtur me zor ata që populli s’i do me vota. E ndryshojnë sistemin, ndryshojnë rregullat e lojës që i kanë sjellë në pushtet. Kur nuk mjafton, ndryshon rregullat me të cilat ke ardhur në pushtet. Dhe çdo herë duket njësoj, domethënë, sepse kanë një emër shumë të përbashkët. Janë si ato telenovelat turke, ndryshon titulli, aktorët janë të njëjtë. Dhe ky është pak a shumë muhabeti i sistemit tek neve. Janë tentativa të duopolit të të dy partive që bëhen bashkë sa herë që ndjehen të rrezikuar nga partitë e treta. Edhe nëse ndodhi diçka në këto zgjedhje, ndodhi një fenomen i ri, që për herë të parë partitë e reja morën një peshë substanciale, se s’ka pasur asnjë përpara.


