Transformimet e thella në realitetin tonë social-mediatik dhe politik duket se ka dhënë efektet e para. Nevojat ekonomike kanë ndikuar mbi konceptet morale dhe tashmë nuk ka më as turp, as etikë, as një grimë ndershmëri në gjuhën publike të këtyre kohëve. Ulërijnë, shajnë, shpifin, bërtasin për “të vërtetën” dhe “drejtësinë”, por po t’i shohësh në sy, sheh një boshllëk moral që të ftoh gjakun. Këta janë të ligët, ata që nuk ndihen keq kur baltosin, por ndihen të rrezikuar kur dikush thotë të vërtetën.
Këta janë njerëzit që flasin për “moral”, por e kanë shitur ndërgjegjen për një karrige, për një vend pune, për një favor të vogël që i mban gjallë në sistem. Kanë mbyllur sytë përballë padrejtësisë, kanë heshtur kur vidheshin pasuritë e përbashkëta, kanë nënshkruar çdo kompromis për pak rehati dhe tani flasin me zë të lartë për “drejtësinë e munguar” apo standartet e shkelura.
Në fakt, nuk janë kundër padrejtësisë. Janë kundër drejtësisë. Drejtësia i tremb. U hap dosjet, u prish pazaret, u shkul rrënjët e korrupsionit që u ka dhënë frymë për vite. Këta njerëz jetojnë me korrupsionin si me oksigjenin dhe pa të ata nuk marrin dot frymë. Ndaj edhe çdo herë që SPAK apo një prokuror i ndershëm guxon të veprojë, ata ngrihen në kor: “E dirigjon politika, është selektive, është sulm ndaj lirisë!”
Por çfarë lirie mbrojnë këta? Lirinë për të vjedhur pa u ndëshkuar? Lirinë për të bërë pazar me ndërgjegjen? Lirinë për të dal në krah të politikanëve të cilët e katandisën Shqipërinë në këtë gjëndje? Apo lirinë për të sharë e baltosur çdo njeri që s’bëhet pjesë e pazarit të tyre?
Janë të njëjtët që për vite kanë ngrënë në sofrën e pushtetit, e sot bëjnë sikur janë opozitarë moralë. Të njëjtët që kanë përfituar nga çdo qeveri, çdo sistem, çdo “drejtues” që u ka dhënë një copë pushtet. Sot, kur fryma e drejtësisë po u fryn në qafë, dalin në televizione me fjalorin e baltës dhe me nervat e atij që e di se fundi po afrohet.
Gjuha e tyre është e dhunshme sepse janë të zhveshur nga e vërteta. Sa më shumë ndihen të zbuluar, aq më shumë ulërijnë. Sa më shumë u afrohet drita, aq më fort bëjnë marrëveshje në errësirë për ta fikur atë dritë. Kanë frikë nga pasqyra, sepse në të nuk shohin më maskën e moralistit, por fytyrën e njeriut që ka heshtur, që ka mbyllur sytë, që ka pranuar të jetë pjesë e pazarit.
Të ligët nuk janë thjesht ata që vjedhin. Të ligët janë ata që mohojnë faktet. Të ligët janë ata që manipulojnë të vërtetën. Të ligët janë ata që gënjejnë pa iu plasur cipa. Të ligët janë ata që deformojnë atë që shkruhet e bardha mbi të zezë. Të ligët janë ata që e shesin Shqipërinë për interesat e tyre meskine.
Ky vend, për fat të keq, ka njerëz që shesin moral, por jetpjnë çdo ditë në amoralitet. Njerëz që flasin për liri, por nuk e durojnë dot drejtësinë.
Drejtësia dhe shoqëria nuk mund të ndalen nga të ligët, sepse edhe kur bërtasin më fort, është shenjë e frikës që i përpin. Ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, frika është në anën e tyre dhe e drejta, më në fund, në anën tonë sepse e vërteta vonon por nuk harron dhe siç thoshte e Fishta i madh “Por i urti kurr nuk ngutet, Prej burrnís e jo prej tutet”


