Më 3 nëntor mbyllet gara në Kuvend për ata që duan të aplikojnë për Avokat Populli.
Redaksia ka mësuar se deri më tani janë paraqitur 4 kandidatura. Më e njohura prej tyre është Genta Bungo, e cila shërbeu si Kryetare e “vettingut”, KPK-së.
Në garë është futur edhe avokati Saimir Vishaj, por siç mësohet, dosja e tij e aplikimit ka paraprakisht mangësi në dokumentacion.Shkëlqim Sulo, jurist që dikur ka përfaqësuar PDIU-në në KQZ, gjithashtu kërkon të bëhet Avokat Populli. Në garë është futur edhe Ismail Tafani, një pedagog i drejtësisë.
Emra të tjerë do të priten edhe një javë, e më pas do të dëgjohen platformat e tyre pranë Komisionit të Ligjeve.
Avokati i Popullit kërkon 84 vota. Tradicionalisht ky post i është besuar opozitës, por mosmarrëveshjet politike kanë bërë që zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit, të zvarritet mbi 3 vjet.


